KMDLNJ: Të rinumërohet votat ku dyshohet se janë kontrabanduar, Beogradi po rrezikon vendet e rezervuara në Kuvend

KMDLNJ: Të rinumërohet votat ku dyshohet se janë kontrabanduar, Beogradi po rrezikon vendet e rezervuara në Kuvend

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), thotë se vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës po rrezikohen për shkak të ndërhyrjes së Beogradit nëpërmjet Listës Serbe, njofton Insajderi.

Kështu kanë deklaruar nga KMDLNj nëpërmjet një komunikate për media, sipas të cilëve, me vota të kontrabanduara po krijohet një përfaqësim i imponuar i komuniteteve jo-shumicë, në dëm të përfaqësuesve të vërtetë dhe legjitim të këtyre komuniteteve dhe në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe të drejtat e njeriut.

“Me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, anëtarët e komuniteteve jo-shumicë gëzojnë të drejta të veçanta e që mund të merren edhe si shembull edhe për vendet me një demokraci më të zhvilluar se në Kosovë. Në këtë kontekst janë edhe garancitë për vendet e rezervuara e që në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit 2021 po rrezikohen seriozisht për shkak të ndërhyrjes së Beogradit, përmes Listes Serbe të ndryshojë arkitekturën e përfaqësimit të komuniteteve jo – shumicë duke kontrabanduar vota për favoritët e tyre në mënyrë që Lista Serbe të kontrollojë 2/3 e deputetëve të komuniteteve jo –shumicë”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

“Më heret, nën kërcënim, shantazh dhe duke përdorur edhe dhunë fizike, u përjashtuan nga loja politike në Kosovë të gjitha partitë politike serbe në Kosovë, që ishin integruar në strukturat shtetërore dhe shoqërore të Kosovës dhe që punonin për integrimin e serbëve në Kosovë e që, i tëri ky proces kundërshtohej nga Serbia, përmes Listes Serbe. Kalimi në heshtje i eliminimit të dhunshëm të partive politike që përfaqësonin serbët e Kosovës në planin afirmativ, krijoi kushtet që në zgjedhjet e fundit, kjo dhunë elektorale dhe përpjekje për dominim të shtrihet edhe te komunitetet jo-shumicë përkatësisht te boshnjakët, romët, goranët, ashkalinjtë dhe të tjerët”.

“Në këtë mënyrë, me vota të kontrabanduara po krijohet një përfaqësim i imponuar i komuniteteve jo-shumicë, në dëm të përfaqësuesve të vërtetë dhe legjitim të këtyre komuniteteve dhe në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe të drejtat e njeriut që garanton, në mënyrë të vullnetshme, pa imponim, pa ndërhyrje politike dhe krejtësisht të pavarur të votoni , të zgjidhni apo të zgjidheni. Kjo, në zgjedhjet e fundit është shkelur në mënyrë flagrante sikur që është bërë kriminalizimi i procesit të votimit për komunitetet jo – shumicë,  i planifikuar nga Serbia dhe i zbatuar nga Lista Serbe”, thuhet tutje në këtë komunikatë.

KMDLNj kërkon që të bëhet rinumrimi i votave në të gjitha vendvotimet ku dyshohet se ka pasur vota të kontrabanduara e që kanë ndikuar në rezultatin e kandidatëve për komunitetin jo – shumicë që në rastin konkret janë dëmtuar duke u eliminuar nga mundësia të përfaqësojnë komunitetin që i takojnë. /Insajderi.com