Avokati i njohur, Arianit Koci, i cili e përfaqëson ish-kryeparlamentarin, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se bastisja e shtëpisë në mëngjesin e sotëm nga ana e EULEX-it, mund të jetë konfirmim i aktakuzës së Gjykatës Speciale, njofton Insajderi.
Koci kështu është shprehur në emisionin “Gjesi” në T7, ku tutje këtë bastisje e quajti një spektakël i panevojshëm.
“Po kryhet një bastisje e cila është spektakël i panevojshëm, deri sot çdo njëri është paraqitur në speciale nuk ka pasur nevojë për një spektakël të tillë. Kjo mund të jetë konfirmim i aktakuzës por jo domosdoshmërisht”, tha ai.
Nga Dhomat e Specializuara thuhet se operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovës (EULEX).
“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë. Operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara. /Insajderi.com