Koci thotë se Albin Kurti mund të kandidojë në zgjedhje

Koci thotë se Albin Kurti mund të kandidojë në zgjedhje

Avokati kosovar, Arianit Koci, ka thënë se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, mund të kandidojë për kryeministër në zgjedhjet e jashtëzakonshme, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Koci ka sqaruar arsyen se pse Kurti mund të kandidojë.

“Vepra penale është kryer në vitin 2015, kur në fuqi ka qenë Kodi Penal Nr. 04/L – 082, i cili në nenin 100 paragrafi 2, parasheh se pasojat juridike të dënimit nuk krijohen kur kryesit i shqiptohet gjoba, dënimi me kusht apo vërejtja gjyqësore”, thuhet në njërën ndër sqarimet e tij.

“Kodi i ri Penal, Nr. 06/L-074, ka pësuar ndryshim. Në nenin 93 paragrafi 2, tani parashihet se pasojat juridike të dënimit nuk krijohen kur kryesit i shqiptohet gjoba, apo vërejtja gjyqësore. Dënimi me kusht me Kodin e ri, ka pasojë juridike, për dallim prej Kodit paraprak”.

“Sidoqoftë, dispozitat ligjore lexohen dhe interpretohen në mënyrë sistematike. Në nenin 3 të Kodit të ri Penal (i njëjti nen është edhe në Kodin paraprak), parashihet se: ndaj kryesit zbatohet ligji që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale (neni 3 par 1) ose, në rast se ligji në fuqi ndryshon para shqiptimit të vendimit të formës së prerë, atëherë ndaj kryesit zbatohet ligji që është më i favorshëm (neni 3 par 2).

“Vepra penale është kryer në vitin 2015. Prandaj, zbatohet ligji më i favorshëm – Kodi Penal, Nr. 04/L – 082, i cili thotë se pasojat juridike NUK parashihen kur kryesit i shqiptohet dënimi me kusht”, bën të ditur tutje Koci. /Insajderi.com