Avokati i njohur, Arianit Koci, ka thënë se Gjykata Speciale nuk mund të zhbëhet as pas publikimit të dosjeve që u dorëzuan në zyrat e Organizarës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilat zyrtarët e OVL-së thonë se janë dosje të Speciales, njofton Insajderi.
Me anë të një postimi në Facebook, Koci ka treguar katër arsyet pse kjo gjykatë nuk mund të zhbëhet as përmes Parlamentit e as përmes Gjykatës Kushtetuese.
Koci thotë se tashmë Specialja është proces i pandalshëm, duke u shprehur thellësisht i bindur se po të mos votohej në Kuvendin e Kosovës, do të gjendej forma që kjo Gjykatë të krijohet përmes OKB-së dhe sipas tij në vend të prokurorëve amerikanë, mund të kishte prokurorë rusë.
Shkrimi i plotë i Kocit:
1.Për gjithë ata që mendojnë që Gjykata Speciale mund të zhbëhet pas skandalit me dosje, mund t’ju them që kjo nuk do të ndodhë.
Në asnjë formë; as përmes Parlamentit e as përmes Gjykatës Kushtetuese.
Mos harroni, Gjykata Kushtetuese, e përbërë ekskluzivisht prej ndërkombëtarëve, është në kuadër të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.
2.Kam qenë kundër kësaj gjykate, për shkak se kam menduar dhe ende mendoj që deputetët dhe politikanët tanë, kanë mundur të negociojnë me faktorin ndërkombëtar, që në kuadër të Speciales, të gjykohen edhe krimet e dokumentuara të pushtetit serb në Kosovë, gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Nuk e kanë arritur ta bëjnë.
E kanë votuar gjykatën kështu si është: Gjykatë kosovare, me prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë – me polici dhe me hetues të huaj.
Poashtu, edhe përkthyesit janë të huaj.
3.Winston Churchill ka thënë: “Kur kalon nëpër ferr, mos u ndal”.
Ne jemi duke kaluar nëpër ferr. Tani nuk mund të ndalemi.
Në fakt, ky është proces i pandalshëm.
4.Thellësisht besoj që po të mos votohej në Parlamentin tonë, do të gjendej forma që kjo Gjykatë të krijohet përmes OKB.
Dhe ata që nuk po janë të kënaqur me prokurorin dhe hetuesin amerikan, a thua do të ishin më të kënaqur me prokurorin dhe hetuesin rus? /Insajderi.com