Koha kur Beqaj dhe pronari i KEDS-it mashtruan qytetarët e Kosovës me deklarata të rrejshme

Koha kur Beqaj dhe pronari i KEDS-it mashtruan qytetarët e Kosovës me deklarata të rrejshme

17 tetori i vitit 2012 ishte cilësuar si ditë e rëndësishme për të ardhmen energjetike të Kosovës nga Besim Beqaj në atë kohë në cilësinë e kreut të Komitetit Qeveritar të Privatizimit. Ai problemin me furnizim me energji elektrike e konsideronte të kryer, ani pse edhe pas gjashtë viteve problemi është i njëjtë, madje edhe më i kushtueshëm.

Beqaj pas nënshkrimit të kontratës për privatizimin e distribucionit kishte folur për të ardhme të suksesshme të sistemit energjetikë të Kosovës, e ardhme kjo që nuk erdhi asnjëherë.

Kishte përmendur tri pika të rëndësishme, por asnjëra prej tyre nuk është realizuar. Të gjitha deri më sot kanë rezultuar të jenë të pavërteta, raporton Insajderi.

Elementi kryesor që kishte përmendur Beqaj kishte qenë furnizimi me energji elektrike të sigurt. Që nga ajo kohë e deri më tani kanë kaluar gjashtë vite, por asnjë rezultat nuk është vërejtur. Qytetarët e vendit në stinën e ftoftë të dimrit janë futur pa energji elektrike dhe të izoluar nga informacionet.

Në shumicën e pjesëve të Kosovës, vazhdon të mos ketë energji elektrike me orë të tëra, pavarësisht se një gjë e tillë është e obligueshme.

Këtij obligimi kompania turke dhe KEK-u vazhdojnë të shmangun nga përgjegjësitë e tyre.

Disa fjalë të tjera që Beqaj kishte thënë në ditën e privatizimit të distribucionit nuk janë realizuar asnjëherë. Shumë qytetarë të Kosovës ofrimi i shërbimeve ndaj konsumatorëve nga KEDS-i thonë se vetëm sa është përkeqësuar ende.

Lexues të Insajderit në vazhdimësi ditët e fundit kanë dërguar informacione lidhur me mungesën e energjisë elektrike. Njëri prej tyre ka dëshmuar tentimin e tij për ta telefonuar KEDS-in për t’u informuar për mungesën e energjisë elektrike.

14 tentativat e qytetarit nga Sllatina e Madhe kishin dështuar. KEDS-i nuk kishte qenë i qasshëm.

Por në ditën kur ishte nënshkruar privatizimi i distribucionit, fjalët e Beqajt kishin qenë shumë më ndryshe.

“Konform Kushtetutës së vendit ne jemi të përcaktuar për ekonomi të tregut, jemi të përcaktuar që të ofrojmë shërbime sa më të mira për qytetarët e Kosovës dhe një pengesat që nga paslufta ka qenë furnizimi i sigurt me energji elektrike”, thoshte Beqaj pas nënshkrimit të kontratës.

E pavarësisht fjalëve të Beqajt për ekonomi të tregut në ditën e nënshkrimit të kësaj kontrate as kjo nuk është realizuar. Çmimi i energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës vetëm se është ngritur duke paguar edhe energji që nuk e shpenzojnë.

Qytetarët e vendit paguajnë për harxhimet e banorëve serbë në veri të Mitrovicës të cilët nuk e paguajnë energjinë e shpenzuar. Në formën “paushall” shpenzimet e tyre u faturohen qytetarëve të tjerë të Kosovës.

 

Konsumatorëve të energjisë elektrike u është rënduar edhe më tej çmimi i energjisë elektrike, kur ZRRE kishte vendosur që energjia e humbur t’iu faturohet përsëri qytetarëve. Protestat e organizuara në vitin e kaluar nuk sprapsën asgjë nga faturimi “paushall”.

Vendimet që i shkojnë përshtati kompanisë turke po mundësohet nga ZRRE. Në fakt anëtarë të bordit të ZRRE-së janë ish-menaxherët e lartë të kompanisë turke KEDS.

Drejtori Menaxhues, Petrit Pepaj në të kaluarën kishte qenë menaxher i lartë i KEDS-it. Anëtari i Bordit, Izet Rushiti po ashtu kishte qenë menaxher i lartë i KEDS-it. Si dhe Selman Hoti i cili poashtu kishte punuar si menaxher në kompaninë.

Nga ana e tij, Nihat Ozdemir  njeriu në krye të Limak-Holding kishte prezantuar kompaninë që kishte qenë fituese e  distribucionit. Ai thoshte se do të investohen 300 milionë euro, por kompania e tij nuk arriti të sigurojë energji elektrike as pas gjashtë viteve, duke e lënë Kosovë në terr.

“Grupi Kosovo Çalik-Limak Energy në 15 vitet e ardhshme për distribuimin e energjisë elektrike në Kosovë do të bëjë investim prej 300 milionë euro, për këtë arsye jemi të përgatitur, kemi eksperiencë dhe sa më shpejtë që do të barten asetet do të fillojnë këto investime”, thoshte Ozdemir, duke shtuar se popullata e Kosovës do të ketë energji më kualitative dhe pandërprerë.

Distribucioni i energjisë elektrike ishte blera nga kompania e Ozdemirit për vetëm 26.3 milionë euro. Investimin në asetin publik të Kosovës kishte qenë investim në një biznes të sigurt me të drejtë ekskluzive të shitjes me pakicë të energjisë elektrike te konsumatorët.

Furnizimi me energji elektrike i pandërprerë nuk ishte bërë asnjëherë siç kishte thënë Ozderimi.

Ai me kompaninë e tij kishte arritur që vetëm brenda një viti të sigurojë profit të pastër prej rreth 30 milionë eurosh gjatë vitit 2014.

Situata në veri të Mitrovicës nuk kishte ndikuar aspak tek kompania turke. Serbët e asaj pjesë që në formë të rebeluar nuk i kryejnë borxhet e tyre, kompania turke paratë nuk i ka humbur. Ajo për rreth 8 milionë euro në vit energji të shpenzuar në veri i merr tek qytetarët e tjerë të Kosovës.

I gjithë ky vendim absurd kishte ardhur në kohën kur Hashim Thaçi kishte qenë kryeministër. ZRRE kishte nxjerr vendim që kompania e turqve t’i merrte paratë e qytetarëve për energji që nuk e kishin shpenzuar.

Sipas llogaritjeve del se që nga viti 2012 kur është marrë vendim janë paguar rreth 40 milionë euro për rrymën të cilën nuk e kanë shpenzuar vet kosovarët, por nga banorët serb në veri.

Kompania turke, KEDS është evidentuar se ka vjedhur 24 qytetarë të vendit përmes faturave të rrejshme. 24 ankesat e konsumatorëve janë aprovuar gjatë këtij viti. Ndërsa në vetëm një rast, shuma që KEDS ia kishte faturuar  një konsumatori nga Prishtina, ishte 6 mijë e 530 euro.

Skandalet e KEDS-it nuk kishin fund. Gjykata Themelore në Prishtinë, para tetë muajve e ka dënuar KEDS-in, për shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e të dhënave dhe shkelje të privatësisë së individit.

Ishte dënuar me 9 mijë euro, për shkak të mosmarrjen e masave për parandalimin e qasjes së paautorizuar në të dhënat personale të konsumatorëve.

Ndërkohë që skandali i fundit i kompanisë që udhëhiqet nga Ozdemir është se rryma e importuar me çmim katër fish më të shtrenjtë do t’u faturohet përsëri qytetarëve./Insajderi.com