I dërguari special i Administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në vitet e fundit njihet si një nga njerëzit më besnik të presidentit Donald Trump.
Duke përdorur llogarinë e tij në Twitter, Grenell i jep shtysë politikave të presidentit Trump për gjithçka: duke filluar nga çështja e rrjetit 5G tek NATO-ja, deri në marrëveshjen e Iranit.
Por Grenell nuk ka qenë gjithmonë një përkrahës i Trump.
Në vitin 2016, përpara se Trump të nominohej për president nga radhët e Partisë Republikane, Grenell e kishte quajtur Trumpin “të rrezikshëm” dhe kishte përkrahur guvernatorin e atëhershëm të Ohajos, John Kasich, në garën e brendshme të republikanëve për president.
Sipas disa shkrimeve të Grenell, fshira tashmë nga Twitter, të cilat u gjetën dhe u publikuan nga mediumi i njohur POLITICO, ai ishte një kundërshtar i madh i Trumpit.
“Ai është i rrezikshëm!”, shkruhet në një shkrim të Grenellit më 24 Mars 2016, ditën kur Trump shkroi në Twitter se “NATO është e vjetëruar dhe duhet të ndryshohet”.
Në një shkrim tjetër në Twitter, Grenell shkruante se Trump nuk ka lidhje me politikën e jashtme.
“Nëse mendoni se Trump i njeh çështjet e politikës së jashtme, atëherë absolutisht po, ju jeni budallenj”, kishte shkruar Grenell. /Insajderi.com