Koha kur Thaçi e priste Haradinajn dhe polemikat për tepihun e kuq

Koha kur Thaçi e priste Haradinajn dhe polemikat për tepihun e kuq

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po kthehej në Haga, pas një procesi të gjatë gjyqësor, mbi të cilin rëndonin akuza për krime lufte.

Ishte 29 nëntori i vitit 2012, kur asokohe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, kishte organizuar pritje shtetërore për ish-kryeministrin njëherësh edhe ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe si një ish-bashkëluftëtar i tij.

Një tepih i kuq shtrihej nga dera e aeroplanit e deri te foltoret prej ku ata mbajtën fjalimet e tyre.

“Mirëserdhe në Kosovën e pavarur dhe sovrane ish-kryeministri i Kosovës, z. Ramush Haradinaj. Sot për Republikën e Kosovës, për shtetin e Kosovës, për qytetarët e Kosovës, para së gjithash, për z. Haradinaj, për familjen e tij, është një lajm i gëzuar, është një lajm që i takon dhe që lidhet drejtpërdrejt me luftën e pastër dhe të drejtë që kemi zhvilluar si Ushtri Çlirimtare e Kosovës”, kishte thënë ndër tjera ish-kryeministri Hashim Thaçi.

Për këtë pritje Haradinaj falënderoi Thaçin.

“Shprehi falendërimit tim për pritjen e sotme dhe për kujdesin që më bëhet mua dhe bashkëluftëtarëve të mi. Kuptohet se, edhe pse në një proces të gjatë, unë kam jetu me ju, me vendi, jam gëzu për të arriturat, për fitohet, jemi mërzitë vështirësi, për sfida. Dhe sot jam i gëzuar se drejtësia ndërkombëtare e ka konfirmuar se lufta jonë për liri ka qenë e drejtë dhe e pastër”, kishte thënë ndër tjera Haradinaj gjatë kësaj konference të parë pas lirimit të tij.

Tepihu i kuq i kthyer në polemikë mes Thaçit e Haradinajt.

Në kohën kur po diskutohej në Kuvendin e Kosovës çështja e themelimit të Gjykatës Speciale, e cila do të merrej me krimet e supozuara të pjesëtarëve të UÇK-së, ishte Haradinaj që e falënderoi edhe njëherë Thaçin për atë tepihun e kuq të 29 nëntorit 2012.

Doli në foltore dhe i tha që themelimi i Gjykatës Speciale do ta krijojë mundësinë që shumë shpejt edhe Thaçit t’i shtrohet tepihu i kuq, pasi ai është ndër të akuzuarit e parë që përmendet të raportin e Dick Martyt.

“Shikoni, me ranë ndërmend do situata. Tash po duhet me të thënë faleminderit që ma ke shtru tepihun e kuq kur kam ardhë, por unë s’po du me ta shtru ty, spo kam qejf me të ba vaki as ty as kurrkujt”, ka thënë Haradinaj.

Por nuk mungoi sqarimi i Thaçit. Pas lirimit, Haradinaj ishte shprehur i gatshëm ta drejtonte Qeverinë e Republikës së Kosovës. Por këtë nuk mund ta pranonte asokohe kryeministri Thaçi.

I tha se e çmon gatishmërinë e tij për t’u përballur me drejtësinë ndërkombëtare, por jo edhe të bëhej kryeministër.

“Do të doja ta qartësoja z. Haradinaj sa i përket tepihut të kuq. Realisht unë e çmoj gatishmërinë që e ka tregu z. Haradinaj m’u ballafaqu me drejtësinë – i ka dalë mirë edhe atij, edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, edhe Kosovës. Mirëpo, pastaj në momentin që mendove se duhet me ardh edhe në Zyrën e Kryeministrit (të bëhesh kryeministër)…, qaty ti e din…”, ka thënë zëvendëskryeministri Thaçi.

Haradinaj nuk e do sërish tepihun e kuq

Në një proces të tretë gjyqësor ndërkombëtar kundër ish-kryeministrit, njëherësh lider i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot ai pritet t’i kthehet vendlindjes. Ai u ndaluar më 4 janar në Francë, pasi autoritetet franceze e arrestuar atë mbi bazën e një fletarrestimi të lëshuar nga Serbia qysh në vitin 2004 kundër tij, e të cilin e ngarkon me akuza për krime lufte.

Kjo është hera e tretë që Haradinaj shpallet e pafajshëm për krime lufte nga drejtësia ndërkombëtare.

Por kësaj radhe shteti i Kosovës nuk ka organizuar asnjë pritje. Kjo ishte kërkesa e familjes Haradinaj. Madje në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, atë do ta presë vetëm familja e tij. Atje nuk do të dalin as zyrtarë të partisë së tij, AAK.

Mungesa e një ceremonie shtetërore dhe me tepih të kuq, AAK-ja e arsyetuar me atë se nuk dëshirojnë t’ua krijojnë mundësinë të tjerëve të përfitojnë nga kjo pritje.

“Pritja e tij do të jetë qytetare, nuk do të ketë tepih të kuq. Këtë herë nuk do të mund të përfitojë askush nga rasti i Haradinajt. Ka ndodhur njëherë që e kanë keqpërdorur”, ka thënë anëtari i kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj gjatë një konference për media.

“Nuk do të jetë pritje politike dhe qeveritare”, ka shtuar ai.

Madje, sipas tij, ‘as AAK-ja nuk do të dalë ta pres në aeroport’. Por atje do të dalë ta pres bashkëshortja me fëmijët./Insajderi.com

AAK-ja ka paralajmëruar se pritja do t’i organizohet pasdite prej orës 19:00 në qendër të Prishtinës./Insajderi.com