Kohë lufte, kohë “gjeneralësh”…!

Lutfi Dervishi

Kohë lufte, kohë “gjeneralësh”…!

Fjalët sabotatorë, dezertorë, tradhëtarë, heronj, vijë fronti, viktimë, vetmohim, armik i padukshëm, sakrificë, ndëshkim, burg, izolim, karantinë – janë fjalë kyçe për një Luftë.
Vendi dhe globi ndodhen në sheshbetejë dhe rasti i mbrëmshëm i kalimit në repartin e terapisë intensive të kryeministrit të Britanisë Madhe, Boris Xhonson, tregon se në këtë luftë plumbi nuk kursen askënd, kushdoqoftë ai.
Jemi në një luftë ku sakrifica sublime është të qëndrosh në shtëpi dhe të ndryshosh sjellje.
Në fund të kësaj lufte, fundin e së cilës askush nuk mund ta thotë- shpresa dhe lutja është që të rikthehemi aty ku ishim më parë- te një normalitet, ku dalja nga shtëpia, ecja në park, apo pirja e kafesë nuk janë krime që ndëshkohen.
Pandemia Koronavirusit e cilësuar si kriza më e madhe në glob që nga Lufta e Dytë Botërore, kërkon mobilizimin e gjithësecilit dhe ka vënë në provë mbi gjithçka qeveritë.
Kurrë më shumë se sot sytë e publikut nuk janë drejtuar nga qeveria.
Luftë për të shpëtuar jetë, por edhe luftë për të shpëtuar ekonominë!
Në betejën për t’iu rikthyer jetës normale, liderët në vende të ndryshme të botës janë sjellë ndryshe ndaj armikut të padukshëm e të përbashkët.
Ka liderë që nga frika e mospërhapjes së panikut, nuk kanë treguar të vërtetën, ka të tjerë që e kanë shfrytëzuar këtë situatë për të marrë më shumë pushtet, ka nga ata që ende tallen me koronavirusin dhe të tjerë që i bien këmbanave të panikut dhe masave ndëshkuese.
Lufta është një, por taktikat e saj ndryshojnë nga një vend në tjetrin. Bashkë me to ndryshojnë dhe rezultatet. Deri tani duket sikur buletini i luftës raporton humbje të rënda në SHBA, Britaninë e Madhe, Itali e Spanjë, por jo shumë humbje ne vende të vogla e të vobekta si Shqipëria. Për shifrat, fajtorë bëhen drejtpërdrejt liderët, sikurse dhe meritat i marrin drejtpërdrejt ata.
Në Shqipëri, lideri që ka ndërhyrë me rreptësi, në përditshmërinë e gjithësecilit, dhe që duket se ia dalë të mbajë të ulta statistikat e që ka bërë që sistemi shëndetësor të përballojë valën goditëse, refuzon dhe përgjegjësinë dhe meritën. Lideri nuk ka qenë, veçse një nxënës shembullor i ekspertëve të kalibrit ndërkombëtar që ky vend ka.
E bën këtë për modesti? E bën për taktikë komunikimi? E bën se sheh më larg se ne? E bën këtë se ai vetë e di, se më e keqja nuk ka mberritur ende, ose sikurse i pëlqen ngahera të thotë, prisni, se s’keni parë gjë akoma?