“Koka e turkut” – dështimi i Ymerit për ta mbajtur Dërgutin brenda partisë

“Koka e turkut” – dështimi i Ymerit për ta mbajtur Dërgutin brenda partisë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri kishte qortuar deputeten Aida Dërgutin për ofendimin që i kishte bërë në platformën komunikuese Viber, ish-kreut të partisë Albin Kurti.

Siç bëhet e ditur në e-mailet mes Ymerit dhe krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, që rrodhën në media gjatë javës së kaluar, kryetari i Lëvizjes sugjeronte që ky problem të zgjidhej pa pasur “një kokë turku”, që nënkuptonte, pa e larguar nga funksionet e partisë deputeten Dërguti.

“Ky problem kërkon zgjidhje gjithëpërfshirëse e jo parciale. Aq më pak përmes kërkimit të ‘kokës së turkut’”, shkruante Ymeri, në letrën që u kishte dërguar krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë.

Por, pavarësisht planit që Visar Ymeri kishte për deputeten vushtrriase, rrjedhja në media e mesazheve të tij me krerët e VV-së në Tiranë dhe po ashtu mesazhi i ofendues i Dërgutit ndaj Kurtit, ka bërë që plani i Ymerit të mos shkonte në vend.

Kjo pasi Aida Dërguti ofroi të hënën dorëheqjen nga pozitat e saj në parti, si: anëtare e Kryesisë dhe kryetare e Degës së VV-së në Vushtrri.

E në mbledhjen e së hënës, Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje vendosi që të pranonte dorëheqjen e Aida Dërgutit nga të gjitha funksionet e saj brenda partisë. /Insajderi.com

Përgjigjen e kreut të Vetëvendosjes, Visa Ymeri, dërguar më 2 dhjetor, ndaj letrës së VV-së në Tiranë mund ta lexoni më poshtë, pa ndërhyrje:

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm e të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!,
Të nderuar aktivistë të Lëvizjes nga Tirana,

E lexova me vëmendje letrën tuaj dhe pajtohem me një pjesë të konsiderueshme të saj.
Duhet ta them në krye të herës dhe që në fillim të kësaj përgjigjes sime që në asnjë mënyrë as nuk e mbështes, as nuk e pranoj, as nuk e arsyetoj e as nuk e kuptoj gjuhën e përdorur nga Aida ndaj Albinit në asnjë rrethanë, e aq më pak në rrethanat të cilat ju i shpjegoni në letër. Kjo përkundër dyshimeve absurde të ngritura në letër. Me ta parë përdorimin e asaj fyerjeje e kam marrë Aidën në telefon dhe e kam qortuar për këtë gjë duke kërkuar nga ajo që t’i fyerjet e ofendimet menjëherë.

Sidoqoftë, kjo është një pjesë e vogël e një problemi shumë më të madh e më të thellë që e kemi në Lëvizje tash e më shumë se një vit e i cili është mirëmbajtur e vazhduar përme shumë ofendimeve, shpifjeve,, insinuatave, sulmeve, herë publike përmes rrjeteve sociale, herë përmes agjitacionit te aktivistët e njerëzit jashtë Levizjes e nganjëherë nëpër forume të Lëvizjes. Ky problem kërkon zgjidhje gjithëpërfshirëse e jo parciale. Aq më pak përmes kërkimit të “kokës së turkut”.

Ne të hënën do ta kemi mbledhjen e kryesisë. Aty do të diskutojmë për strategjinë tonë për rastin e 4 aktivistëve të dënuar, për strategjinë tonë rreth procesit gjyqësor ndaj 4 deputetëve, si dhe për rrethanat që po krijohen me sjelljen e sërishme të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi në Kuvend që pritet të ndodh të hënën.

Çështjen që e keni ngritur ju në letër, dhe poblemin e brendshëm në përgjithësi (kërkesa për të cilin kemi shumë, dhe së paku dy janë adresuar përmes emailit) do ta diskutojmë kur ta ketë mundësinë të marrë pjesë në mbedhje edhe Abini, marrë parasysh që kjo mund të ndodh më 7 dhjetor. Nëse Albini vazhdon të mbahet në paraburgim edhe pas kësaj date, atëherë do të flasim prapë dhe taa vendosim në rend të ditës në mbledhjen e kryesisë.

Ju faleminderit shumë e mirëmbetshi.
Miqësisht,
Visari