Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, thotë se shpërngulja e kryeministrit Albin Kurti në shtëpinë në lagjen ‘Taslixhe’ në Prishtinë, është bërë për shkaqe sigurie, transmeton Insajderi.
Kështu u shpreh ajo derisa ishte e ftuar në emisionin ‘Edicionin Special’ në Klan Kosova.
Mulhaxha-Kollçaku ka thënë se në shumë raste Kurti e ka refuzuar edhe mbrojtjen e afërt, por i është kërkuar që ta ketë sepse tashmë është përfaqësues i shtetit.
“Në shumë raste Kurti e ka refuzuar edhe mbrojtjen e afërt, por i është thënë se tashmë nuk vendos ai sepse është përfaqësues i shtetit”, është shprehur ajo.
Prej rreth tre javësh Kurti nuk banon më në banesën 60 metrash katror. Banorët e ndërtesës thonë se nuk e kanë vërejtur shpërnguljen e tij. Siç u raportua, Kurti tashmë është vendosur në një shtëpi pritave. Komshinjtë e rinj të Kurtit thonë se këtë shtëpi ai e mori me qera. /Insajderi.com