Koloneli amerian: Nuk ka indikacione që forcat amerikane do të largohen nga Kosova

Koloneli amerian: Nuk ka indikacione që forcat amerikane do të largohen nga Kosova

“Unë nuk kam asnjë indikacion për ndonjë tërheqje të SHBA nga Kosova”,

Kështu ka thënë Brey Hopkins, i cili komandon Ekipin Luftarak të Brigadës 86 të Këmbësorisë të Gardës Kombëtare të SHBA-ve

Në artikullin e  Stars and Stripes thuhet se “Siguria në Kosovë mbetet e qëndrueshme në përgjithësi. Por Uashingtoni dhe aleatët e tij në NATO nuk kanë plane për të zvogëluar Forcën e Kosovës – ose KFOR – e cila ende konsiderohet thelbësore në ruajtjen e paqes midis shumicës shqiptare dhe pakicës serbe”.

Koloneli amerikan tregoi edhe për misionin që forcat ndërkombëtare e kanë në Kosovë.

“Qëllimi i KFOR-it është të mbajë një mjedis të sigurt dhe të sigurt në mënyrë që t’u lejojë politikanëve nga të dy anët hapësirën e frymëmarrjes që u nevojitet për t’u ulur në tryezë dhe për të diskutuar se si t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre,” tha Hopkins

Në artikullin e botuar, të enjten – tregohet edhe historia që e solli intervenimin e NATO-s dhe misionin paqeruajtës në Kosovë gjatë njëzet viteve.

Hopkins, gjithashtu pohoi se situata në Kosovë është përmirësuar.

“Problemet mes dy komuniteteve etnike”, shqiptare e serbe i karakterizoi në nivelin e “mbishkrimit të mureve me fjalë nënçmuese”, apo “hedhjen e ndonjë guri”.

Por, prapë se prapë, thuhet se forcat ndërkombëtare janë “sy hapur për çdo situatë”.

Opinioni në Prishtinë ka qenë i ndikuar nga tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani – që rezultoi me marrjen e pushtetit nga talebanët, në Kabul.

Vitin e kaluar, djali i presidentit të atëhershëm Donald Trump, kishte përmendur një gjë të tillë.

“Janë 650 trupa amerikane në Kosovë. Koha për t’i kthyer në shtëpi”, kishte thënë shkurt në Twitter Donald Trump Junior.

Kjo situatë kishte ardhur pasi ekzistonte një divergjencë e gjerë qëndrimesh ndërmjet Richar Grenell, atëherë emisar amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, dhe Albin Kurtit, atë kohë si kryeministër në Qeverinë e koalicionit VV-LDK.

Mospajtimet silleshin rreth taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe, si dhe premtimit të Kurtit për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë.

Memoria kosovare është rikthyer tash, kur trupat amerikane u larguan nga Afganistani.

Por, gjatë këtij viti nuk ka pasur asnjë deklaratë nga diplomatët amerikanë që njëjtë të veprohet edhe në Kosovë.

Përkundrazi, SHBA ka falënderuar Kosovën për gatishmërinë e strehimit të refugjatëve afganë, të përndjekur nga grupi militant, talebanët. /Insajderi.com