Komandant Malisheva për rastin e rrahjes në burgun Shutkës: Ma keni zbardh ftyrën

Komandant Malisheva për rastin e rrahjes në burgun Shutkës: Ma keni zbardh ftyrën

Dita e parë e paraburgimit të ish-ministrave Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski nuk ka kaluar mirë në burgun hetues të Shutkës. Me shuplaka është rrahur ish-ministri i Arsimit, Spiro Ristovski, ndërsa i është çarë arkada e vetullës. Kurse ish-ministrit Janakieski i është thyer dora.

Ristovski dhe Janakieski janë sulmuar të enjten nga Esat Kafegjolli dhe Lirim Krasniqi.

Kafegjolli e Krasniqi janë të dënuar me nga 40 vjet burgim për veprën penale të terrorizmit i pjesë e grupit të Kumanovës.

Në total 33 pjesëtarët e grupit të Kumanovës, në nëntor 2017, u patën dënuar me 746 vjet burgim. 7 persona ishin dënuar me burg të përjetshëm, 13 persona me nga 40 vjet burg, 6 persona me nga 20 vjet, njëri nga të akuzuarit u dënua me 18 vjet, dy me nga 14 vjet dhe dy pjesëtarë tjerë me nga 13 vjet.

Për rastin që ndodhi të enjten në burgun e Shutkës, ka folur edhe Muhamet Krasniqi i njohur si komandant Malisheva.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, komandant Malisheva ka treguar se cilët ishin të burgosurit që grushtuan ish-ministrat e qeverisë Gruevski.

“Secili politikan që ka të boj me kurthin…që na bije në dorë do të rrahet e do të dërmohet nga cilido pjesëtar i grupit tonë. Sot ju lumtë djema se e kallxuat veten. Spiro Ristevskin e grushtoj Lirim Krasniqi, të lumtë kushë. Mile Janakievskin e grushtoj Esat Kafegjolli. Ma keni zbardh ftyrën. Ne betejën nuk do ta ndalim pasi nuk pat deri sot shqiptar të marin hak për ne. Ne do t`i ndëshkojmë nëpër burg se ktu do na vijnë”, ka shkruar Malisheva.

Muhamet Krasniqi- Malisheva është njëri nga njerëzit kryesor të grupit Kumnova, ai është i dënuar me burg të përjetshëm.

Ata ishin dënuar për përleshjen e armatosur me policinë maqedonase me 9 dhe 10 maj të vitit 2015, në Kumanovë.  Gjatë përleshjeve vdiqën tetë policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur.

Komandant Malisheva vazhdimisht publikon postime nga burgu ku po vuan dënimin.

Verën e vitit të kaluar ai pati shkruar një letër publike, përmes së cilës kërcënonte Agjencinë Kosovare të Inteligjencës dhe Policinë e Kosovës.

Komandant Malisheva, në këtë letër të cilën e ka shoqëruar edhe me një foto nga burgu, thirret në emër të Grupit të Kumanovës, dhe u drejtohet me emër e mbiemër një grupi të zyrtarëve të lartë të AKI-së, nga të cilët kërkon që të mos ua vëzhgojnë familjet.

Derisa në fund të kësaj letre Krasniqi, thoshte se Beteja e Kumanovës ishte projekt amerikan për të ndaluar ndikimin rus në Maqedoni.

Lidhur me përleshjen e djeshme në burgun e Shutkës ka reaguar kryeministri Zoran Zaev. Ai ka kërkuar  dorëheqjen e drejtorit të burgut Gjoko Kotevski për shkak të siç thuhet nuk ka kryer si duhet punën e tij dhe ka lejuar incidente të njëpasnjëshme në drejtorinë të cilën e udhëheq.

“Unë jam dëgjuar me drejtorin Gjoko Kotevski lidhur me incidentin në Shutkë. Ai më dha një raport gojor se i burgosuri Spiro Ristovski me fjalë të ndyta fillimisht verbalisht ka sulmuar një të burgosur tjetër, dhe më pas, pas një kohe të shkurtër ka ndodhur edhe një incident i tillë”.

“Kjo nuk mund të tolerohet, pavarësisht nëse hetimi do të tregoj se dy personat e sulmuar kanë provokuar apo jo incidentin. Në burg gjithsecili duhet ta kryej punën e vet dhe të mos lejoj incidente të qëllimshme dhe të paqëllimshme. Duke pas parasysh se qeveria e emëron drejtorin e burgut të Shutkës, pres që ai të hënën deri tek Qeevria të parashtroj dorëheqjen”, deklaroi Zoran Zaev.