Dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Kosova nuk ka ende qeverinë e saj. Në një analizë të gazetës zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” (14.08) vërehet se ka dështuar disa herë konstituimi i parlamentit të ri.
“Situata e ‘patt-it’ në Kosovë nuk do të thotë, se në Kosovë është pezulluar jeta dhe se publiku i ndjek duke u dridhur zhvillimet në parlament në Prishtinë. Sezoni i verës sjell si çdo vit dhjetëra-mijëra kosovarë në vendlindje, që vizitojnë të afërmit ose shkojnë për pushime në bregdetin shqiptar….e për Kosovën vizitorë të tillë janë të rëndësishëm, sepse me shpenzimet e tyre ata i japin jetë turizmit dhe gastronomisë… por megjithëse jeta vazhdon, bllokada politike i kushton shumë financiarisht Kosovës”.
Duhet qeveri me mbështetje të gjerë
“Neue Zürcher Zeitung” i referohet një shifre të përmendur nga afaristi i njohur Behgjet Pacolli, sipas të cilit Kosova ka humbur 138 milionë dollarë nga FMN-ja, kjo për shkak se nuk funksionojnë institucionet.
“Jo vetëm kampet politike janë tejet të armiqësuara, krahas problemeve ekonomike kronike dhe vështirësive sociale, janë për t’u zgjidhur çështje delikate të politikës rajonale, të cilave mund t’u japë zgjidhje vetëm një qeveri me mbështetje të gjerë”.
NZZ i kushton vëmendje edhe dialogut me Serbinë dhe zgjidhjes së çështjes së Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe duke theksuar se këtu Kosova ka nevojë për një diskutim të brendshëm.
“Duhet që të ecë përpara kompensimi ndërmjet Beogradit e Prishtinës, më së miri të bëhet hap cilësor, në rast të tillë Kosova ka nevojë për një qeveri të fortë. Nëse zgjedhjet e reja do ta përmirësojnë gjendjen, kjo nuk dihet”. /DW