
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka shprehur shqetësimin “për dukurinë e dhunës, keqtrajtimit e fyerjeve ndaj nxënësve” në Kosovë.
Sipas KOMF, nga data 14 deri me 22 mars 2016, janë publikuar dhe konfirmuar të kenë ndodhur 3 raste të tilla me ç’rast KOMF konsideron si të papranueshme aktet e tilla të dhunës, keqtrajtimit dhe fyerjes ndaj nxënësve.
“KOMF i është drejtuar Policisë së Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) me kërkesën për të dhënat e dhunës, keqtrajtimit dhe fyerjes ndaj nxënësve në shkolla për vitin 2015 dhe janar – shkurt 2016, raste këto në të cilat mësimdhënësit kanë qenë të dyshuar dhe autor të veprave, mirëpo një statistikë e tillë ka qenë e pa-kategorizuar nga Policia e Kosovës dhe KGjK”, thuhet në nëj komunikatë të KOMF.
KOMF ka rekomanduar Ministrinë e Arsimit që ndër të tjerash të zhvillojë programe, masa dhe aktivitete për parandalimin e dhunës në shkolla dhe disiplinimin pozitiv.
“Institucioni i arsimit para-universitar duhet të referojë rastin në Polici pa deklarim paraprak të palëve në rastet kur ekziston dyshim i arsyeshëm se fëmija është viktimë apo dëshmitar i veprës penale, kur është në interesin më të lartë të fëmijës dhe kur intensiteti i dhunës dhe nevoja për ndërhyrjen e Policisë së Kosovës është e domosdoshme”, thuhet në komunikatë.