KOMF: Partitë politike të mos shfrytëzojnë fëmijët për fushatë

KOMF: Partitë politike të mos shfrytëzojnë fëmijët për fushatë

Drejtoresha ekzekutive e Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), Donjeta Kelmendi, u ka bërë apel institucionet vendore posaçërisht subjekteve politike, që të mos i shfrytëzojnë fëmijët për aktivitetet e tyre zgjedhore.

Kelmendi në një prononcim për “Zëri” ka thënë se e konsideron shumë shqetësues shfrytëzimin e fëmijëve gjatë fushatës elektorale.

“Shkelje edhe më e rëndë është ndërprerja e procesit mësimor për përfshirje të fëmijëve në fushatë elektorale të partive politike”, tha ajo.

Sipas saj përgjegjës në parandalimin dhe ndalimin e politizimit të fëmijëve janë partitë politike, KQZ, MASHT, DKA-të, shkollat dhe prindërit.

Ajo u sygjeron partive politike që në vend të shfrytëzimit për fushata, të përfshijnë në programet e tyre politikat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

“MASHT dhe shkollat duke u bazuar në Ligjin për Arsimin duhet të mos lejojnë assesi që procesi mësimor të pengohet gjatë fushatës zgjedhore. Të mos shfrytëzohen ambientet shkollore gjatë fushatave elektorale të subjekteve politike, prindërit të vetëdijësojnë fëmijët e tyre për të mos e ndërprerë procesin mësimor, për pjesëmarrje në fushatat elektorale të partive politike”, tha Kelmendi.