Komisionerja e BE-së thotë se Kosova ka plotësuar kriteret për vizat

12.10.2018 10:45
Komisionerja e BE-së thotë se Kosova ka plotësuar kriteret për vizat

Sipas komisioneres së BE-së për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Mariya Gabriel, Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimit të vizave.

“Kosova ka punuar shumë për të fituar liberalizimin e vizave dhe mund të iu urojmë për të gjitha këto. Është e rëndësishme të vazhdohet me dialog me të gjitha shtetet që të merret vendimi sa më shpejt”.

“Të gjitha kriteret janë plotësuar, por nuk është proces i lehtë. E keni këtë potencial dhe është e rëndësishme që të vazhdoni. Liberalizimi i vizave është i rëndësishëm për ju dhe vazhdoni të punoni brenda vendit tuaj”, tha ajo gjatë një konference për shtyp pas takimit me takim me zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj, ministrin për Inovacion Besim Beqaj dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka.

Ajo ka thënë poashtu Kosova mund të jetë një nga partnerët kyç që ta përdor teknologjinë si një motor të ekonomisë.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ka falënderuar komisioneren për të gjithë kontributin e saj dhënë për Kosovën.

“Sot e kemi [Mariya Gabriel] në Prishtinë me një qëllim tjetër, qëllimi i saj është që ta promovojë në Kosovë inovacionin e teknologjisë. Sot biseduam se si mund të ketë një bashkëpunim me të mirë mes vete për teknologjinë dhe inovacionin. Kemi biseduar edhe për atë që të ulet tarifa e roamingut për vendet e rajonit”, tha ai.