Komisioni dërgon në Kryesi emrat për anëtarë të Bordit të ARKEP-it, Shala përmend dokumentet e Insajderit

Komisioni dërgon në Kryesi emrat për anëtarë të Bordit të ARKEP-it, Shala përmend dokumentet e Insajderit

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka dërguar në Kryesi emrat për anëtarë të Bordit të ARKEP-it me pesë vota për, një kundër dhe një abstenim.

Lidhur me këtë pikë, kryetari i Komisionit, Ferat Shala ka treguar se ka pranuar një e-mail nga Gazeta Online Insajderi, që kryetari i propozuar i Bordit ka një procedurë juridike të hapur.

“Njëri nga anëtarët, i propozuari për kryetar Bordi ka një procedurë të hapur juridike sipas një e-maili të dërguar nga mediet tona të respektuara”, tha Shala.

Orë më parë Insajderi ka publikuar artikullin e bazuar në dokumente se ndaj të propozuarit për kryetar të Bordit të ARKEP, ishte ngritur kallëzim penal.

Në këtë mbledhje të Komisionit është shqyrtuar edhe raporti vjetor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), për vitin 2020.

Drejtori menaxhues i AKP-së, Valon Tolaj, gjatë raportimit ka thënë se pandemia COVID-9 ka lënë pasoja negative në punën e kësaj agjencie, duke shtuar se vendimet e Qeverisë, të marra gjatë vitit 2020 për pezullimin e përkohshëm të privatizimet kanë ndikuar në ulje e të hyrave.

“AKP vitin 2020 nuk e ka pasur të lehtë sepse ka pasur tregues negativ për arsye jo tonat por për faktorë të jashtëm ndikues nga pandemia. Ka pasur vendime dhe kërkesa nga ana e Qeverisë për pezullim e përkohshëm të privatizimeve e të shitjeve prandaj ne nuk kemi pasur shitje”, ka thënë Tolaj para deputetëve.

“Kemi pasur të hyra më të vogla krahasuar me vitin 2019. Kemi të hyra prej 17 milionë në vitin 2020. Ka rënie të të hyrave nga qeraja krahasuar me vitin 2019. Ne kemi qenë të detyruar që gjatë pandemisë të lirojmë qiramarrësit pasi që ata nuk kanë zhvilluar veprimtari në lokalet që u kemi lëshuar ne. Ka pasur rritje të shpërndarjes së 20 përqindshit, janë rreth 16 milionë euro të shpërndara”, ka raportuar ai. /Insajderi.com