Komisioni Evropian e zëvendëson postimin ku e quajti Kosovën republikë

Komisioni Evropian e zëvendëson postimin ku e quajti Kosovën republikë

Shërbimi informativ i Komisionit Evropian, ka ndryshuar postimin e djeshëm në Twitter, lidhur me takimin e Komisionerit për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ku kësaj të fundit iu referuan si presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës, njofton Insajderi.

Në postimin e parë, faqja e Komisionit Evropian ka shkruar “Presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës”, të cilin pastaj e ka ndryshuar me “Presidentja në detyrë e Kosovës”, postim që edhe tani gjendet në këtë faqe.

Referimi si Republikë për Kosovën e pa u vendosur fusnota nga Komisioni Evropian, ka bërë që drejtori i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, Petar Petkovic, të pyes nëse dialogu ndërmjet dy vendeve të Ballkanit Perëndimor “është i tepërt”.

Kjo për autoritet në Beograd ka qenë “e papranueshme”.

“Sipas cilës marrëveshje dhe kur BE e njohu të ashtuquajturën Kosovë?! A do të thotë kjo se dialogu është i tepërt? Ishte e papranueshme që çdo organ i BE, veçanërisht Komisioni Evropian, të vendosë për statusin e Krahinës sonë të Jugut,” ka shkruar Petkovic në Twitter.

Ndryshe nga Komisioni Evropian, institucioni tjetër i BE-së, Parlamenti Evropian, në takimet zyrtare i referohet Kosovës si Republika e Kosovës. /Insajderi.com