Komisioni parlamentar vendos që ta ftojë Malcolm Simmons-in në raportim për “shkeljet e EULEX-it”

Komisioni parlamentar vendos që ta ftojë Malcolm Simmons-in në raportim për “shkeljet e EULEX-it”

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka vendosur që ta ftojë në seancë dëgjimore ish-kryetarin e Gjyqtarëve të EULEX-it në Kosovë, Malcolm Simmons, për pretendimet e tij se ky mision ka kryer shkelje përgjatë punës në Kosovë.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Online Insajderi, Këshilltari për Media i Kryetarit të Kuvendit, Feim Tahirsylaj, i cili tha se kjo seancë dëgjimore e raportimit të Simmons në këtë Komision, do të caktohet pas procedurave të parapara me Rregulloren e Kuvendit.

“Anëtarët Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, dje kanë vendosur në mënyrë unanime që të mbahet një seancë njëditore e karakterit të dëgjimit publik, në të cilën do të flet ish-kryetari i Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, në lidhje me pretendimet e tij për shkeljet e këtij misioni gjatë viteve të kaluara”, ka thënë Tahirsylaj.

“Seanca dëgjimore e raportimit të z.Simmons në këtë Komision, do të caktohet pas procedurave të parapara me Rregulloren e Kuvendit”, shtoi ai në përgjigjen me shkrim dhënë redaksisë.

Simmons ditë më parë ka bërë të ditur se më datë 3 qershor ka nisur një dokument në adresë të kryeministrit Albin Kurti, si dëshmi e tij për “skandalet e kryera nga Misioni për Sundimin e Ligjit i Bashkimit Evropian në Kosovë”.

Në dokumentin e tij 25-faqësh Simmons tregon se si prokurorët e EULEX-it ua kishin dërguar dosjet e “krimeve të luftës”, autoriteteve të Serbisë, por që të njëjtit edhe kishin udhëtuar disa herë drejt shtetit serb.

Përkundër që të gjitha parregullsitë ia ka treguar me anë të këtij dokumenti Kurtit, Simmons thotë se një përgjigje nga kreu i Qeverisë së Kosovës nuk e ka marrë ende.

“Para caktimit tim si Kryetar të gjyqtarëve te EULEX-it unë kam qenë dijeni për diskutimet brenda EULEX-it në lidhje me transferimin e dosjeve tek autoritetet prokuroriale të Serbisë. Këtu janë përfshirë dosjet e EULEX-it të marra nga UNMIK-u. Unë gjithashtu kam qenë në dijeni për bisedimet e vazhdueshme ndërmjet prokurorëve të EULEX-it dhe prokurorëve të Serbisë. Në të vërtetë prokurorët e EULEX-it kanë udhëtuar në Serbi në shumë raste për t’i diskutuar lëndët me prokurorët e Serbisë”, shkruan Simmons.

“Kur u bëra kryetar i gjyqtarëve të EULEX-it më 2014, zbulova që me dhjetëra dosje të krimeve të luftës u ishin dorëzuar autoriteteve prokuroriale në Serbi. Kishte hetime lidhur me mizoritë e pretenduara të kryera nga personat e përkatësisë etnike serbe gjatë konfliktit”, thuhet më tej në letrën e tij dërguar Kurtit.

Këtyre pretendimeve të ish-kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, i janë kundërpërgjigjur këta të fundit, të cilët thonë se deklaratat e Simmons nuk janë aspak të vërteta.

Në përgjigjen e EULEX-it për Insajderin u tha se Misioni asnjëherë nuk u ka dorëzuar ndonjë rast të krimeve të luftës autoriteteve prokuroriale të Serbisë, as nuk ka hequr dorë nga autoriteti mbi dosjet hetimore dhe rastet.

Madje në këtë përgjigje thuhet se përgjatë mandatit ekzekutiv të EULEX-it, Misioni është përpjekur të siguronte përgjegjësi për krimet e luftës të kryera në Kosovë.

“Sidoqoftë, deri në fund të mandatit ekzekutiv të EULEX-it në qershor 2018, Misioni nuk ka mundur të vazhdonte me rastet për krime lufte që pretendohej se ishin kryer nga individë që ndodheshin jashtë Kosovës, përfshirë të dyshuar që dihej se jetonin në Serbi, sepse ligji i aplikueshëm i Kosovës nuk lejonte mundësinë e gjykimit në mungesë”, thonë nga zyra për komunikim me media e EULEX-it.

I vetmi bashkëpunim i tyre me autoritetet prokuroriale të Serbisë ishte që herë pas here ndanin informacione mbi individët që pretendohej se kishin kryer krime të luftës dhe ndodheshin jashtë Kosovës, por gjithnjë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe me dijenin e palës kosovare.

“Në përpjekjet e tyre për të siguruar përgjegjësi për krimet e luftës që pretendohej se ishin kryer nga individë që besohej se ndodheshin jashtë Kosovës, prokurorët e EULEX-it herë pas here ndanin informacione mbi këta individë me shërbimet prokuroriale të juridiksioneve të tjera, duke përfshirë por pa u kufizuar në autoritetet prokuroriale të Serbisë. Në përputhje me ligjin e Kosovës, deri në qershor 2014, Prokurorët e EULEX-it kanë shkëmbyer informacione dhe u dhanë ndihmë autoriteteve serbe, në prani të prokurorëve të Kosovës, për disa raste të krimeve të luftës. Midis 2014 dhe 2018, ndërsa mandati i Misionit ndryshoi, kjo praktikë u ndërpre gradualisht”, u than ë përgjigjen e tyre.

Në të gjitha këto rrethana, EULEX thotë se bashkëpunimi me autoritetet serbe, i cili ka çuar në një gjykim të shkallës së parë ku nëntë të pandehur u shpallën fajtorë për kryerjen e veprës penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, ishte i bazuar në dispozitat përkatëse të kodit të aplikueshëm të procedurës penale të Kosovës si dhe legjislacionin për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar për çështjet penale. /Insajderi.com