Komisioni për Administratë publike inicion shkarkimin e anëtarëve të KPMSHC-së

Komisioni për Administratë publike inicion shkarkimin e anëtarëve të KPMSHC-së

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, ka iniciuar shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shpërbimin Civil (KPMSHC) me gjashtë vota pro, katër kundër, ndërsa kërkesa i është dërguar Kuvendit të Kosovës për miratim, transmeton Insajderi.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, ka kërkuar që të iniciohet shkarkimi i anëtarëve të Këshillit në mënyrë që siç tha ai, t’i hapet rrugë një konkursi që të ketë pavarësi në këtë institucion. Mirëpo, kërkesa e tij është kundërshtuar nga deputetët opozitarë që votuan kundër.

Komisioni në mbledhjen e sotme ka diskutuar për dorëheqjen e kryetarit të Këshillit dhe informatat e dërguara nga Këshilli sipas kërkesës së komisionit, raporton ‘Koha’.

Një nga kërkesat ishte se a janë trajtuar të gjitha rastet që u evidentuan si në pritje brenda afatit 45 ditësh, si dhe dokumentacionin e plotë lidhur me lëndën e Nexhat Krasniqit. Kryetarja e Komisionit, Doarsa Xhelili-Kica, tha se nuk kanë marrë të gjitha informacionet që kanë kërkuar nga KPMSHC.

“Pajtohem që informatat që i kemi kërkuar nuk i kemi pranuar, sepse nuk i kam as datat e protokollit për lëndët që kanë qenë në pritje, që në fakt e kam kërkuar në mënyrë shprehimore në letër, as numrin e saktë të lëndëve në pritje që janë trajtuar në 45 ditëshin që ne po flasim. Po në anën tjetër këtu po më konfirmohet që megjithatë paska pasur lëndë të vitit 2019 të cilave iu ka skaduar afati i vendimmarrjes”, tha ajo.

Deputeti i LVV-së, Fitim Haziri, tha se në informacionet që kanë pranuar nga Këshilli nuk është vërtetuar dyshimi i tyre se lënda e Nexhat Krasniqit është trajtuar me qëllim dhe lëndët e tjera janë anashkaluar.

Mirëpo, me këto konstatime nuk është pajtuar deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili tha se nga ato informacione që i kanë marrë nuk sheh se të njëjtit i kanë ikur përgjegjësisë. /Insajderi.com