Komisioni për Legjislacion ka miratuar në parim Projektligjin për Gjykatën Komerciale në mbledhjen e mbajtur të martën e 6 korrikut, njofton Insajderi.
Nevoja për themelimin e kësaj gjykate u konsiderua e domosdoshme nga mazhoranca dhe një pjesë e opozitës, derisa Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur dyshimet për rolin e kësaj gjykate në sistemin juridic dhe kushtetues të vendit.
Kryetari i Komisionit për legjislacion, Adnan Rrustemi, tha se miratimi i këtij projektligji është i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit.
Përkrahje ndaj këtij projektligji shprehu edhe Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës, por tha se i njëjti është marrë i gatshëm nga ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.
Ndërsa Driton Selmanaj nga LDK tha se ka nevojë për më shumë informata sa i përket sistemit juridic dhe kushtetues për këtë gjykatë.
“Sot e kam problem ta paketojë në sistemin hierarkik institucional këtë gjykatë. Duhet më shumë informata për sistemin juridik dhe kushtetues për këtë gjykatë”, tha ai.
Derisa e përkrahu miratimi në parim të këtij projektligji, Besnik Tahiri nga AAK tha se partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje me këto veprime po përkrah politika të djathta. /Insajderi.com