Gati 5 orë ka zgjatur raportimi i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, në Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, i udhëhequr nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani.
Pas një mungese të gjatë, ministri iu përgjigj kërkesës për raportim të komisionit, në një takim me akuza e replika të shumta.
Sipas Pacollit, Kosovës nuk i është tërhequr asnjë njohje, edhe pse vet zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj e zyrtarë të tjerë kishin deklaruar për media se një fenomen i tillë kishte ndodhur.
Pacolli raportoi edhe për dështimin për anëtarësim në Interpol dhe iu përgjigj dhjetëra pyetjeve të tjera të anëtareve të komisionit.
Në disa raste, Pacolli akuzoi mediat për raportimet e tyre rreth tërheqjes së njohjeve dhe për temën e ndryshimit të kufijve, mirëpo kryetarja e komisionit, Vjosa Osmani, kundërshtoi disa here vlerësimet e tilla për media, duke insistuar se liria e mediave duhet të respektohet dhe se raportimet e tilla kanë qenë në interes të informimit të qytetarëve.