Komisionit për të Drejtat e Njeriut i shtohet pjesa “Viktimat e Dhunës Seksuale gjatë Luftës”

Komisionit për të Drejtat e Njeriut i shtohet pjesa “Viktimat e Dhunës Seksuale gjatë Luftës”

Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, do të riemërohet si Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale gjatë Luftës dhe Peticione, njofton Insajderi.

Për shtimin e pjesë së viktimave të dhunës seksuale të luftës, kanë votuar 84 deputetët pro, asnjë kundër dhe asnjë nuk ka abstenuar në seancën e sotme që po vazhdon të mbahen në Kuvendin e Kosovës.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti, në emër të Komisionit ka arsyetuar kërkesën për riemërtimin e këtij komisioni.

“Kjo iniciativë ka të bëjë me njohjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës edhe si kategori brenda titullit të komisionit që aktualisht quhet Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione. Kjo është e nevojshme edhe nga aspekti i të drejtave të njeriut, por edhe proceduralisht ngase kategoria e viktimave të dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë është e njohur edhe me ligj”, ka thënë ajo.

“Numri i të mbijetuarave prej këtij krimi llogaritet që është rreth 20 mijë. Ka shumë organizata, shoqata e madje kemi edhe Agjenci Shtetërore që merren me statusin e tyre. Duhet të njihen edhe në përmbajtje të tjera institucionale. Kontributi më i madh për këtë kategori është njohja e dhimbjes dhe sakrificës së tyre, ndërsa dëmi më i madh që është bërë është mohimi i kësaj dhimbjeje”, shtoi anëtarja e këtij komisioni.

Edhe deputetja tjetër e kësaj partie, Vasfije Krasniqi, u bëri thirrje deputetëve që ta përkrahin këtë propozim.

“Përmes votës së tyre, qytetarët u treguan të gatshëm për të përkrahur viktimat e dhunës seksuale të luftës në Kosovë, ku një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është bërë përmes propozimit për riemërimin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione duke i shtuar edhe kategoria “Viktima të Dhunës Seksuale gjatë Luftës”, ka thënë ajo. /Insajderi.com