Kompania britanike nis procedurat kundër Kosovës në Arbitrazh – shteti rrezikon të humbë 195 milionë euro

Kompania britanike, e cila ka pasur një kontest mbi guroren e Malishevës me dy kompanitë kosovare "Green Power Shpk" dhe "Scope Shpk", ka nisur procedurat kundër Kosovës në Arbitrazh si rezultat i dështimit të shtetit për të mbrojtur të drejtat e Fox Marble mbi guroren e Malishevës. Dy kompanitë me të cilat ka mosmarrëveshje "Fox Marble Holding" kanë lidhje me deputetë të PDK-së

Kompania britanike nis procedurat kundër Kosovës në Arbitrazh – shteti rrezikon të humbë 195 milionë euro

Fox Marble Holdings PLC, kompania e cila bën pjesë në tregun AIM të Mbretërisë së Bashkuar, e përqendruar në guroret dhe përpunimin e mermerit në Kosovë, ka filluar procedurat ndërkombëtare të arbitrazhit kundër Republikës së Kosovës, për dëmet e vlerësuara në vlerë prej 195 milionë eurove.

Kompania britanike, e cila ka pasur një kontest mbi guroren e Malishevës me dy kompanitë kosovare “Green Power Shpk” dhe “Scope Shpk”, ka nisur procedurat kundër Kosovës në Arbitrazh si rezultat i dështimit të shtetit për të mbrojtur të drejtat e Fox Marble mbi guroren e Malishevës.

Siç shkruan sot mediumi britanik “DirectorsTalk Interviews”, kompania përfaqësohet nga këshilltarët e saj juridikë, Stephenson Harwood LLP, si dhe avokatët e saj kosovarë.

Chris Gilbert, drejtori i kompanisë “Fox Marble” për Kosovë, ka thënë sot se pavarësisht vullnetit të kompanisë për të pasur partneritet me shtetin, sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk ka zbatuar ligjet në fuqi në raport me kompaninë të cilën ai e drejton.

“Fox Marble gjithmonë ka kërkuar të punojë në partneritet me Kosovën dhe qeverinë e saj. Prandaj, ne e kemi ndërmarrë këtë hap me ngurrimin më të madh, por rrethanat e tanishme dhe vendimet e marra na kanë lënë pa zgjidhje. Ka pasur një dështim të qartë nga qeveria e Kosovës dhe agjencitë e saj për të zbatuar ligjet në mënyrë të drejtë”, ka deklaruar Chris Gilbert të mërkurën, raporton Insajderi.

Gilbert është shprehur optimist se Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit do të vendosë në favor të kompanisë britanike, e cila operon në Kosovë prej vitit 2012.

“Jam i sigurt se kërkesa do të vendoset në favorin tonë dhe se do të mbrohet investimi ynë, aksionarët tanë dhe do të tregojë se Kosova është një vend ku bizneset ndërkombëtare mund të investojnë”, ka thënë Gilbert, shkruan “DirectorsTalk Interviews”.

Insajderi ka raportuar në qershor të këtij viti lidhur me mosmarrëveshjen e “Fox Marble Holding”, me dy kompanitë kosovare “Green Power Shpk” dhe “Scope Shpk”. Gazeta kishte zbuluar lidhjet e këtyre dy kompanive me deputetë të PDK-së.

Në maj të këtij, “Fox Marble Holding” kishte blerë kompanitë “Green Power” dhe “Scope shpk” për shumën 1.3 milionë euro.

“Green Power”, zyrtarisht në ARKB figuron në emër të bashkëshortes së ish-deputetit Naim Rrustemi, Florije Rrustemi. Ish-deputeti Rrustemi, deri në mars të këtij viti ka qenë i punësuar në kompaninë “Fox Marble” si drejtor menaxhues për Kosovë.

Kurse “Scope Shpk” është në bashkëpronësi të Florije Rrustemit dhe Sadije Ramës, që është gruaja e Ilir Ramës, i cili është në bashkëpronësi me deputetin e PDK-së, Mergim Lushtaku, në kompaninë “AIM”, shkruan Insajderi.

Pikërisht kompania e familjes Rrustemi, prej muajit maj, ka sfiduar marrëveshjen e shitjes së aksioneve të kompanisë. Ndërkohë që “Fox Marble” beson se pretendimet e tyre janë “tërësisht të pabazuara”, shkruan mediat britanike.

Kjo “mosmarrëveshje” mes tyre kishte bërë që “Fox Marble” të ndërpres punimet në një gurore në komunën e Malishevës.

Kompania britanike e cila tash e shtatë vjet vepron në Kosovë në nxjerrjen e mermerit dhe granitit në Kosovë, ishte vizituar para disa muajve nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Ai pati deklaruar se “Fox Marble” nga Kosova është kompania e parë e regjistruar në bursën e Londrës nga viti 2012 dhe operon edhe me ekspertizë të jashtme. /Insajderi.com