Kompania e deputetit të LDK-së akuzohet se vodhi rrymën

Kompania e deputetit të LDK-së akuzohet se vodhi rrymën

Deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi, njëherësh pronar i kompanisë “Elkos”, po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, se gjatë  vitit 2011, ka kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”.

Konktretisht, ai akuzohet për vjedhje të energjisë elektrike, ku si pronar i kompanisë “Elkos”, sipas prokurorisë, ka dëmtuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në shumën prej 22.801.19 euro.

Siç raporton Betimi për Drejtësi, Prokuroria pretendon se pasi punëtorët e KEK-ut, kanë shkuar në kompaninë e tij, kanë vërejtur se Kelmendi ka shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar energjinë elektrike, duke mos regjistruar dy të tretat e energjisë.

Lidhur me këtë akuzë, ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, të hënën, është paraqitur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 21 dhjetor 2017, i akuzuari Ramiz Kelmendi ishte deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së 12 dhjetorit 2012, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Kelmendi akuzohet për veprën penale “vjedhje e rëndë”, për shkak të dyshimit se prej datës së pavërtetuar e deri më 30 qershor 2011, kompania “Elkos”, në Fushë Kosovë, pronë e Kelmendit ka bërë keqpërdorim të energjinë elektrike.

Prokuroria pretendon se kur punëtorët e KEK-ut kanë shkuar për të bërë kontrolle në atë kompani kanë hasur se i pandehuri me qëllim të vjedhjes ka shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar energjinë elektrike, pasi aty janë gjetur dy transformator të rrymës që kanë qenë jashtë matjes, ndërsa një përçues ishte shkëputur nga lidhja.

Në bazë të aktakuzës, me këto veprime, dy të tretat e energjisë elektrike nuk ishte regjistruar, me ç’rast KEK-ut i është shkaktuar dëm në vlerë prej 22.801.19 euro.