Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” merr një vendim për borxhlinjtë

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” merr një vendim për borxhlinjtë

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar se të gjithë konsumatorët që kanë borxh mbi 100 euro, do të hyjnë në listën për shkyçje, shkruan Insajderi.

Sipas një komunikate për medie, të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit si, Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Lipjan, Drenas, Podujevë, Shtime dhe Graçanicë, që nuk e kanë paguar borxhin e ujit, do të shkyçen nga shërbimet e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit.

“KRU” Prishtina” sh.a., pavarësisht rënies së nivelit të ujit në liqenet akumuluese Batllava e Badoci prej mbi 10 metra nga kuota maksimale e kapërderdhjes, po mundohet të mos e dëmtojë konsumatorin në marrjen e shërbimeve të furnizimit me ujë dhe do të tentojë maksimalisht që të mos aplikojë reduktime deri në momentin ku do të jetë i  pamundur një furnizim me ujë pa reduktime, si shkak i mungesës së reshjeve atmosferike. Andaj, menaxhimi i sistemit të ujësjellësit të Prishtinës për të pasur ujë të mjaftueshëm dhe të pastër, kushton”, thuhet në komunikatë.

Ujësjellësi njofton se borxhi total i konsumatorëve ndaj shërbimeve për ujë dhe kanalizim është mbi 46 milion euro.

“KRU “Prishtina” sh.a.  i’u ka ofruar bashkëpumin dhe mundësi të lehta të ndryshme për pagesa të shërbimeve si, riprogramim për borxhe të akumuluara, andaj shfrytëzojeni këtë mundësi. Paraprakisht falënderojmë të gjithë konsumatorët që paguajnë rregullisht faturat e ujit, njëkohësisht ftojmë borxhlinjtë që, urgjentisht të paguajnë detyrimet  që   kanë ndaj KRU ” Prishtina” sh.a”, përfundon komunikata.