Një grup i kompanive private të autobusëve po protestojnë kundër linjave të reja të autobusëve të “Trafikut Urban”. Ata thonë se autobusët e “Trafikut urban” në Prishtinë, po u hynë në linjat e tyre dhe po rrezikojnë qëndrueshmërinë e tyre financiare.
Kompanitë e autobusëve privatë kanë paralajmëruar protesta edhe për ditën e enjte.
Fadil Gashi, nga kompania e autobusëve “Qendra 2”, i tha Radio Kosovës se po kërkojnë nga kryetari i komunës, Shpend Ahmeti, që sektori privat i trafikut në kryeqytet të trajtohet sipas rregullave të përcaktuara me ligj.
“Ne sot kemi takim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në bazë të zhvillimeve të takimit të sotëm, nëse merremi vesh me kryetarin, protesta anulohet e nëse nuk merremi vesh protesta vazhdon”, ka thënë Gashi.
Kryeshefi ekzekutiv i “Trafiku urban”, Lulzim Rexhepaj, tha se gjithçka ka qenë e vendosur në bazë të kritereve të përcaktuara nga Komuna e Prishtinës.
“Ne si ‘Trafik Urban’, si ndërmarrje publike komunale, po vazhdojmë operimin normal nëpër linjat që i ka caktuar Komuna e Prishtinës, ne po operojmë ashtu siç i ka caktuar Komuna e Prishtinës e gjithashtu edhe sot jemi duke operuar pa probleme”, tha Rexhepaj.
Ndërsa drejtuesit e operatorëve privatë që operojnë ne Prishtinë thonë se nëse kryetari i Komunës nuk u ofron një marrëveshje që nuk i dëmton financiarisht, do të marrim edhe masa të tjera kundër “Trafikut Urban”.