Komuna e dëbon familjen kosovare, ministria e kundërshton  

Komuna e dëbon familjen kosovare, ministria e kundërshton  

Qarku Eifel në landin (republikën) Rheinland-Pfalz ka dëbuar muaj më parë në Kosovë një nënë dhe djalin e saj dhjetëvjeçar. A ka qenë ky veprim i drejtë? Ka qenë pyetja që gazetarët i kanë bërë Ministrisë për Integrim, shkruan volksfreund.de.

Përgjigja nga ministria është se do të ishte më e përshtatshme nëse nënës do t`i jepej një leje qëndrimi e përkohshme diskrecionale. Kjo do të ishte rruga më e mirë për të shpëtuar familjen nga shkaperderdhja, transmeton albinfo.ch. Pas vdekjes së babait, nga i cili varej e drejta e qëndrimit, në Gjermani kishte mbetur vetëm djali 17 vjeçar, i cili ishte duke vazhduar shkollën për elektroteknikë.

Autoritetet për të huaj në nivel të qarkut kanë argumentuar se mbetja e tij nuk nënkupton se në mënyrë automatike duhet të mbeten edhe anëtarët tjerë të familjes. Por, qarku nuk do të pengojë vizitat e ndërsjella në mes të anëtarëve të kësaj familjeje. Kështu, motra më e vjetër e 17 vjeçarit do të mund të vijë në Gjermani gjatë verës që vjen për të nisur shkollën profesionale (mësimin e zanatit).

Ky është rasti i dytë i konfliktit në mes të qarkut të EIfelit dhe Landit, përcjell albinfo.ch. I pari kishte ndodhur kur Ministria e Integrimit i kishte siguruar një familjeje libaneze prej shtatë anëtarësh qëndrimin në Gjermani, përkundër vendimit refuzues të qarkut dhe Gjykatës Administrative të Trierit.