Agon Zhinipotoku është emëruar gjatë ditës së djeshme ushtrues detyre i Udhëheqësit të Sektorit të Rinisë në Komunën e Ferizajt. Por Zhinipotoku njihet për statuset e tij homofobike.
Zhinipotoku u zotua se do të punojë më shumë në aktivitete rinore, përcjell Gazeta Insajderi.
“U dakorduam që të hartojmë një plan vjetor për aktivitetet rinore me përfshirjen e ideve të të gjitha OJQ-ve, grupeve rinore joformale dhe këshillave të nxënësve”, kishte shkruar Zhinipotoku në llogarinë e tij në Facebook.
Por në tetor të vitit të kaluar, ditën kur në Kosovë festohej “Dita e Krenarisë”, udhëheqësi i ri i të rinjve ferizajas, kishte shprehur mllefin e tij ndaj komunitetit LGBTIQ+.
Ai kishte ironizuar me paradën e komunitetit LQBTIQ+, duke shkruar #merrehzemraperfamiljen.
Agon Zhinipotoku, është anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). /Insajderi.com