
Komuna e Kamenicës u ka bërë thirrje stafit shëndetësor që nga e hëna e deri të mërkurën të lajmërohen te ekipet e vaksinimin në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në lidhje me vaksinat kundër Coronavirusit, përcjell Insajderi.
Në njoftimin për medie, nga kjo komunë janë shprehur se pasi të arrijnë vaksinat e para, stafi shëndetësor do të jetë prioritet për vaksinim.
“Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, njofton të gjithë stafin shëndetësor të cilët punojnë në sektorin privat dhe publik në Komunën e Kamenicës, se nga dita e hënë deri ditën e mërkure nga ora 08:00 deri në orën 14:00, të lajmërohen tek ekipet e vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në lidhje me vaksinimin kundër COVID-19.
Pasi të arrijnë vaksinat e para, stafi shëndetësor do të jetë prioritet për vaksinim, andaj luteni të lajmëroheni”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se, Kosova është vendi i vetëm në Evropë që ende nuk është pajisur me vaksinat kundër COVID-19./Insajderi.com