Komuna e Obiliqit njofton se ka dy ditë që nuk ka asnjë rast të ri me Coronavirus, rrjedhimisht edhe asnjë rast aktiv me këtë virus, përcjell Insajderi.
Me këtë rast, në amfiteatrin e sheshit “Dëshmorët e Kombit”, Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka ndarë mirënjohje për drejtorin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Haki Jashari dhe gjithë stafin e QKMF-së, thuhet në njoftimin e komunës.
“Ata janë heronjtë tanë në luftën me pandeminë Covid-19”, është shprehur kryetari Gashi.
Mirënjohje është ndarë edhe për Komandantin e Stacionit Policor në Obiliq, Sejdi Zeqiri, për anëtarët e shtabit emergjent lokal, “për punën, angazhimin dhe kontributin e dhënë në menaxhimin e situatës me Covid-19”.
“Kryetari Gashi, ka falënderuar qytetarët e Obiliqit, sepse siç është shprehur ai: ‘Pa bashkëpunimin e tyre kjo betejë me këtë virus do të ishte e pamundur’. Ai, po ashtu, ju ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen ndaj këtij virusi në Qendrën për Vaksinim në Obiliq”, thuhet tutje në njoftim./Insajderi.com