Mbetet akoma për t’u bërë për avancimin e të drejtave të komunitetit LGBTI në Kosovë. Të drejtat LGBTI, si temë diskutimi, kanë pasur një prezencë të shtuar në debatet publike, megjithëse vazhdojnë të diskriminohen nga shoqëria. Komuna e Prishtinës e ka bërë një hap për avancimin e të drejtave të këtij komuniteti.
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar dje buxhetin e komunës për vitin 2021 dhe kornizës afatmesme buxhetore për periudhën 2021-2023.
Kjo pikë u miratua me 26 vota për 5 abstenime nga të gjitha grupet e partive politike, përveç Lëvizjes Vetëvendosje që abstenuan.
Buxheti kap vlerën prej 86 milionë eurove.
Derisa, shumica e komunitetit LGBTI detyrohet të jetojë një jetë të fshehtë ose të dyfishtë me frikë të vazhdueshme nga diskriminimi, Komuna e Prishtinës po synon të bëjë më publik aktivitetin e këtij komuniteti, njofton Insajderi.
Drejtoria e Mirëqenies e Komunës së Prishtinës në programin e saj për vitin 2021 ka paraparë ndërtimin e një strehimoreje për personat, që i përkasin komunitetit LGBTI.
Ky projekt figuron në buxhetin i cili u miratuar dje në Kuvend. Për ndërtimin e strehimores janë paraparë 300 mijë euro. Ndërkohë, lokaliteti për ndërtimin e strehimores akoma nuk është caktuar përfundimisht./Insajderi.com