Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri ka paralajmëruar partitë politike të cilat nuk i kanë paguar gjobat se do t’i dërgojë të përmbaruesi, njofton Insajderi.
Në një postim në Facebook, Tahiri ka bërë të ditur se nga 20 gjoba që janë shqiptuar ndaj partive politike gjatë fushatës në zgjedhjet e 14 shkurtit, vetëm 10 janë paguar.
“Që në fillim të aksionit ndaj subjekteve politike për organizim të tubimeve, kemi thënë se do t’i publikojmë gjobat, por edhe pagesat eventuale. Nga raporti mujor financiar i shkurtit, kuptojmë se nga 20 gjoba të shqiptuara, 10 janë paguar deri tash: LVV ka paguar 6 gjoba, PDK ka paguar 3 gjoba, AKR ka paguar 1 gjobë.
Të papaguara ende, mbesin: LDK 5 gjoba, AAK 3 gjoba, LVV 1 gjobë, NISMA 1 gjobë. Secila gjobë e papaguar, do të procedohet për përmbarim, brenda afatit të caktuar bazuar në legjislacionin në fuqi. ASKUSH MBI LIGJIN!”, ka shkruar Tahiri në./Insajderi.com