Drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare, Xhevat Elezkurtaj, ka njoftuar se Komuna e Prizrenit ka pranuar 1 mijë e 620 vaksina kundër COVID-19, përcjell Insajderi.
Ai tha se mbetet me shpresë që javën e ardhshëm numri i vaksinave të jetë më i madh.
“Sot jemi furnizuar me 1620 vaksina kundër COVID-it, me shpresë se ky numër javën e ardhshme të jetë shumë më i madh. Sipas planifikimit nga ana e grupit nacional për vaksinim, kemi filluar me grupmoshat prej 65 -70 vjet”.
Elezkurtaj, po ashtu ka falënderoi qytetarët për kulturën që treguan teksa prisnin në rend për t’u vaksinuar.
“Falënderoj këta njerëz të mirë për kulturën dhe rendin që po mbajnë në mënyrë që ekipet tona të kryjnë punën në mënyrën sa më profesionale” thotë Elezkurtaj.
Në anën tjetër, kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se Drejtoria e Shëndetësisë ka pranuar të premten 640 doza të vaksinës AstraZeneca.
Ai ka thënë se prioritet është grupi i të moshuarve mbi moshën 70 vjeçare, të cilët janë regjistruar por nuk janë vaksinuar akoma.
“Ekipet e vaksinimit do t’i kontaktojnë qytetarët mbi moshën 70-vjeçare sipas planit dinamik të vaksinimit. Ndërkaq, kërkojmë nga qytetarët mbi moshën 65 vjeçare që të fillojnë të regjistrohen për vaksinim në Qendrat më të afërta të mjekësisë familjare. E kemi bërë planin që të mos shkaktohet tollovi në këtë proces të ruajtjes së shëndetit publik”, ka thënë Haziri.
Gjatë të premtes, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë u shkaktua tollovi në procesin e vaksinimit nga mosmbajtja e distancës sociale, ku është dashtë të ndërhyjë edhe Policia e Kosovës në menaxhimin e situatës së krijuar./Insajderi.com