Komuna e Prizrenit e drejtuar nga Mytaher Haskuka ka mohuar se ka shkarkuar drejtorët e disa shkollave në Prizren, pot thotë se ka skaduar kontrata e punës së tyre.
Partia Demokratike e Kosovës në Prizren të mërkurën ka akuzuar kryetarin, Mytaher Haskuka, për shkarkimin e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në disa shkolla.
Sipas PDK-së, zëvendësimi i tyre ka ndodhur pa konkurs dhe vetëm me preference partiake.
Komuna e Prizrenit përmes një njoftimi për media ka deklaruar se emërimi i ushtruesve të detyrës së drejtorëve të rinj në disa shkolla të Komunës së Prizrenit, është bërë pasi që kontrata e drejtorëve të këtyre shkollave ka skaduar dhe hapja e konkursit të rregullt është pamundësuar për shkak se Kuvendi Komunal akoma nuk e ka miratuar formimin e Komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve të Institucioneve edukative-arsimore dhe aftësuese.
“Kjo kërkesë nuk është miratuar nga Komiteti për Politikë dhe Financa dhe kështu është larguar nga pika e rendit të ditës së mbledhjes së fundit të Kuvendit. Po ashtu kërkesa për votim të këtij komisioni është përsëritur edhe gjatë mbajtjes së Kuvendit, mirëpo ajo përsëri nuk ka hyrë në rend të ditës. Pra përzgjedhja e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të rinj është bllokuar nga Asambleja Komunale, gjegjësisht legjislativi dhe për këtë arsye ekzekutivi ka bërë përcaktimin e përkohshëm të ushtruesve të detyrës së drejtorit brenda sistemit arsimor. Përzgjedhja e U.D. të drejtorëve ka qenë domosdoshmëri institucionale për mbarëvajtjen e proceseve arsimore dhe është bërë në përputhje me kriteret për drejtorë”, thuhet në reagimin e Komunës së Prizrenit.
Komuna e Prizrenit ka garantuar se konkursi do të bëhet me transparencë, duke ftuar drejtorët sindikatat e arsimit, këshillit e prindërve, OJQ-të e përfaqësues të mediave që të bëhen pjesë e monitorimit.
“Edhe ky konkurs, ashtu siç është realizuar gjatë konkursit të kaluar për drejtorë, do të bëhet në transparencë të plotë, me pjesëmarrje të përfaqësuesve nga sindikata e arsimit, këshilli i prindërve, OJQ-të, përfaqësuesit e mediave, si pjesë monitoruese e procesit”, thuhet në reagim. /Insajderi.com/