Ka përfunduar takimi mes Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prizrenit, i thirrur urgjentisht pas ngjarjes tragjike, ku si pasojë e shembjes së murit të një shtëpie të vjetër në qendër të Prizrenit, ka humbur jetën një fëmijë 3-vjeçare.
Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS, i ka thënë Insajderit, se takimi që ka përfunduar në orën 22:45 ka rezultuar me kërkesën për demolim të shtëpive të vjetra, në rrugën “Marin Barleti” në të cilën gjendet edhe shtëpia e rrënuar sot pasdite.
Në këtë takim nuk ka marrë pjesë Ramadan Muja, edhe pse e kishte paralajmëruar pjesëmarrjen në të.
“Komuna e Prizrenit ka kërkuar që qysh sonte të demolohet shtëpia në fjalë dhe shtëpitë e tjera në atë rrugë për shkak se paraqesin rrezik të madh, por unë dhe MKRS jemi kundër këtij vendimi, sepse nuk mund të merret si arsye tragjedia e sotme për të shkatërruar trashëgiminë pa e dokumentuar”, ka thënë Aliu, për Insajderin.
Vdekja e fëmijës nga shembja e shtëpisë, pasojë e një tenderi
Ajo e ka përshkruar si mjaft të tensionuar takimin me Komunën e Prizrenit, për shkak se ata e kanë hedhur fajin tek MKRS-ja për mos lejimin e prishjes së këtyre shtëpive.
“Ne ua kemi bërë të qartë se përgjegjësinë për sigurinë publike e mban komuna, ndërsa për shtëpinë si objekt i trashëgimisë ne si Ministri. Ata po insistojnë në demolimin e shtëpive të vjetra në rrugën Marin Barleti por kjo nuk mund të ndodhë”, ka thënë Aliu, për Insajderin.
Komuna e Prizrenit ka 6 muaj që është paralajmëruar për rrezikun nga shembja e shtëpisë
Insajderi merr vesh se një vendim në lidhje me këtë propozim pritet të merret gjatë ditës së nesërme.