Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me bizneset e kësaj komuna u kanë dhuruar 5 mijë euro familjes Abazi nga Gjilani, që ka humbur dy djemtë në tërmetin e të martës që ka goditur Shqipërinë.
Shemsedin dhe Isa Abazi gjetën vdekjen si pasojë e tërmetit që ka goditur Shqipërinë të martën e kësaj jave, derisa të dytë kishin punuar në Durrës.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, u shpreh se duke qenë se aksioni për mbledhjen e parave po vazhdon do të ndajnë edhe mjete të tjera për këtë familje.
“Ne ishim sot për ngushëllime në familjen Abazi këtu në Livoç të Gjilanit. Dhimbja është e pakrahasueshme edhe për këtë familjen këtu edhe për vëllezërit dhe motrat tona në Shqipëri atje. Neve si komunë kemi marrë një aksion së bashku me të gjitha bizneset e komunës sonë dhe kemi nda një shumë simbolike edhe për familjen Abazi në vlerë prej 5 mijë euro. Po shpresoj, sepse aksioni është duke vazhduar në komunën tonë dhe pasi që të përmbyllet si aksion në tërësi po shpresoj që do të ndajmë edhe një shumë tjetër për këtë familje”, tha Jashari.
Tërmeti që ndodhi në Shqipëri ka lënë të vdekur 51 persona, ndërsa qindra të tjerë janë lënduar.