Këshilli i Komunës së Tetovës ka marrë vendim që të shpallë tri ditë zie për viktimat e tragjedisë së mbrëmshme në spitalin për COVID-19 të kësaj komune, transmeton Insajderi.com.
Ky vendim është marrë në mbledhjen urgjente të së enjtes, ndërkohë kryetarja e kësaj komune, Teuta Arifi, edhe një herë ka kërkuar nga qytetarët dhe mediat që të presin informatat zyrtare dhe të mos shpejtojnë që të publikojnë informata të pakonfirmuara.
Ajo ka paralajmëruar ndihmë financiare për familjet e viktimave, raporton ‘Alsat-M’.
“Deri në informacionet zyrtare do t’i presim ato dhe në mënyrë të rregullt do t’ju informojmë. Në mbledhjen e radhës, pasi të kemi informacione më të detajuara për fatkeqësinë, nga fondet emergjente të Komunës së Tetovës do t’i ndihmojmë familjet e viktimave. Kjo është dhimbje e madhe për gjithë Tetovën”, ka thënë Arifi.
Sipas informacioneve zyrtare, të paktën 14 persona kanë vdekur mbrëmë pas shpërthimit të zjarrit në spitalin e Tetovës ku po trajtoheshin pacientët me COVID-19.
Prokuroria përmes një njoftimi për media, bëri të ditur se asnjë nga viktimat nuk është pjesë e stafit shëndetësor. /Insajderi.com