Komuna e Vitisë ka reaguar pas akuzave të Lëvizjes Vetëvendosje se iu është mohuar e drejta e shfrytëzimi të një shkolle për tubim elektoral, njofton Insajderi.
Nga kjo komunë kanë thënë se LVV-ja nuk ka parashtruar kërkesë paraprake për tubim.
“Ne si DKA asnjëherë nuk u’a kemi mohuar askujt të drejtën mbi shfrytëzimin e objektit, të drejtë të cilën LVV-ja e ka shfrytëzuar edhe në shkolla të tjera por gjithnjë duke paralajmëruar kompetentët dhe përgjegjësit e shkollës. Askush nuk ka të drejtë as të u’a mohojë pjesëmarrjen dhe shfrytëzimin e infrastrukturës, që do të ishte shumë gabim, por në këtë rast nuk kishte njoftim paraprak”, thuhet në reagimin e komunës.
Tutje, ata thonë se për akuzën janë njoftuar nga mediumet lokale, ndërsa shtojnë se këtë akuzë e shohin si provokim të drejtpërdrejtë të institucioneve lokale.
“Deklaratat dhe qëndrimet që i atribuohen gënjeshtrave të pacipa, të qëllimshme nuk i bëjnë favore askujt, e lëre më një partie politike apo gazetarisë profesionale, apo siç do të thoshte Makiavelli ,“Qëllimi nuk i përligj mjetet”. Në kohën kur informimi është aq i shpejtë kjo nuk do duhej të ishte problem, dhe disa që pretendojnë nivelet më të larta të qeverisë nëse nuk e shfrytëzojnë këtë mundësi atëherë përgjegjësia mos të shpërndahet, por të bëhen më përgjegjës për veprimet e tyre”, thuhet tutje në reagim./Insajderi.com