Komuna e Vushtrrisë ka arsyetuar vendimin për rrënimin e objektit të ish-Gjykatës Komunale, duke thënë se nuk përbënë trashëgimi kulturore të periudhës komuniste që duhet ruajtur, njofton Insajderi.
Në një reagim në Facebook, nga komuna kanë listuar 10 arsye.
- QRTK në Mitrovicë, në vizitën bërë në terren ish objektit të Gjykatës, gojarisht i kanë kumtuar zyrtarëve komunal që ky objekt nuk përbënë trashëgimi kulturore. Zyrtarët komunal janë të gatshëm të dëshmojnë kudo e në çdo kohë se ky ishte qëndrim zyrtar i QRTK Mitrovicë në vizitën në terren e mbi këtë vlerësim gojor, Komuna duke mos dashur të humb kohë të pres të njëjtin vlerësim me shkrim, ka vepruar për rrënim të objektit. Tani MKRS-ja me ndikim politik po tenton të ndërhyjë në vlerësimet e QRTK Mitrovicë. Ne në proces gjyqësor do të kërkojmë deklaratë nën betim të QRKT Mitrovicë sepse ose atë ditë e kanë vënë në lajthitje institucionin e Komunës ose tani po ndryshojnë vendim sipas instruksioneve politike.
- Objekti i ish Gjykatës në vlerësim të dy ekipeve të ekspertëve është konstatuar që nuk ka qëndrueshmëri e as stabilitet ndaj përbënë rrezik për jetën e qytetarëve. Nëse MKRS-ja politikisht e fut në listë për vlerësim të mëvonshëm, duhet urgjent të sigurojë buxhet për këtë objekt që të eliminojë rrezikun për qytetarët. Mbi këto vlerësime ekspertësh, KUVENDI I KOMUNËS, jo Kryetari ka marrë vendim për rrënim të objektit.
- Kostot financiare për mirëmbajtje të këtij objekti janë të papërballueshme për Komunën e nuk janë paraparë as në Kornizë afatmesme buxhetore të MKRS-së.
- MKRS nuk ka shfaq asnjë interesim për këtë objekt e as për objektet e trashëgimisë kulturore në Vushtrri, duke ndarë 0 € buxhet për objektet si Ura e Vjetër e Gurit, Hamami i Qytetit, Shtëpia e Shaban Agës, Shtëpia e Zejnullah Begut etj. Pra pse kjo nguti e MKRS-së për ish objektin e Gjykatës.
- Po të ishte objekt me qëndrueshmëri e i sigurt, vet KGJK nuk do të shpenzonte mjete buxhetore e të ndërtonte një objekt të ri për Gjykatën në Vushtrri, por do të vazhdonte punën në këtë objekt.
- Për sa i takon ruajtjes së objekteve të ndërtuara në ish regjimin komunist si objekt trashëgimie kulturore të asaj periudhe të errët, për qytetin e Vushtrrisë vlerësojmë se mjafton të ruhet p.sh. objekti i Postës sepse ka 0 kosto buxhetore si për MKRS-në ashtu edhe për Komunën, pastaj banesat e bardha ose edhe banesat e kuqe në qendër të qytetit e që të tri këto objekte janë ndërtuar në periudhën e komunizmit dhe kanë nevojë për renovim. Pra, janë të sigurta, kanë kosto financiare më të ulët dhe përmbushin kriterin që ju intereson juve, trashëgimi e kohës së komunizmit.
- Në këtë objekt të ish Gjykatës, të pa kujdesur nga askush, kryhen veprime të kundërligjshme nga përdorues drogash dhe përbënë rrezik. Prandaj tash e tutje, MKRS-ja bart të gjitha përgjegjësitë materiale e penale si për veprimet e kundërligjshme aty ashtu edhe për dëmet ndaj qytetarëve.
- Se MKRS-ja po vepron politikisht mjafton fakti që ju jeni interesuar për këtë objekt vetëm pasi Kuvendi ka nxjerrë vendim për rrënim, i cili vendim pastaj nga partia juaj është sjellë tek ju për vlerësim.
- Në të njëjtin vend ku tani është Gjykata, Kuvendi i Komunës me Vendim ka caktuar ndërtimin e Sheshit ‘Pavarësia’.
“Për gjitha këto arsye Komuna e Vushtrrisë kërkon nga MKRS-ja që të bashkëpunojë me Komunën, të veprojë me transparencë e mos të veprojë mbi baza të interesave partiake që tashmë janë publike, por të jetë në funksion të ruajtjes së trashëgimisë kulturore të Vushtrrisë, duke ndarë buxhet për këtë qëllim”, thuhet në reagimin e tyre.
Në këtë veprim, të dielën Komuna e Vushtrrisë u pengua dhe kritikua nga aktivistët e shoqërisë civile dhe opozita, ndërkaq Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka kërkuar ndaljen e rrënimit./Insajderi.com