Kryetarët e komunave kanë zhvilluar të mërkurën takim online bashkë me Asociacionin e Komunave të Kosovës, ku kanë kërkuar nga Qeveria që ta ketë prioritet vaksinimin e popullatës, hapjen e sektorit të Gastronomisë si dhe kanë rekomanduar heqjen e orës policore.
Në njoftimin për medie të AKK-së bëhet e ditur se nga Qeveria Kurti kanë kërkuar po ashtu zbatimin e pakos së fundit të përkrahjes ekonomike si dhe të fillohet me një pako të re përkrahëse për bizneset e dëmtuara nga pandemia, njofton Insajderi.
“Në fund Kryetarët e Komunave janë dakorduar për rekomandimet e pushtetit lokal ndaj pushtetit qendror lidhur me situatën pandemike dhe masat e reja në këtë drejtim dhe në anën tjetër respektimin e masave nga ana e qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Rekomandimet e Komunave:
- Qeveria të ketë prioritet vaksinimin e popullatës.
- Komunat kërkojnë dhe rekomandojnë heqjen e orës policore.
- Komunat rekomandojnë dhe kërkojnë që masat ndaj gastronomisë të tërhiqen dhe kërkojnë që gastronomia të zbatojë udhëzimet për distancën fizike edhe përmes tavolinave.
- Komunat kërkojnë që të amandamentohet Ligji mbi Pandeminë.
- Kërkohet nga Qeveria zbatimi i pakos së fundit të përkrahjes ekonomike dhe që të fillohet me një pako të re përkrahëse.
- Të ketë bashkëpunim dhe bashkërendim të aktiviteteve në mes nivelit qendror dhe lokal në ruajtjen e shëndetit publik dhe ekonomik.
- Bashkëpunimi në mes inspektoratit qendror dhe atij lokal nuk është në nivelin e duhur. Ky bashkëpunim duhet të fuqizohet në zbatim të masave në mënyrë që të ruhet shëndeti publik./Insajderi.com