Komunat kërkojnë heqjen e orës policore dhe hapjen e gastronomisë

Komunat kërkojnë heqjen e orës policore dhe hapjen e gastronomisë

Kryetarët e komunave kanë zhvilluar të mërkurën takim online bashkë me Asociacionin e Komunave të Kosovës, ku kanë kërkuar nga Qeveria që ta ketë prioritet vaksinimin e popullatës, hapjen e sektorit të Gastronomisë si dhe kanë rekomanduar heqjen e orës policore.

Në njoftimin për medie të AKK-së bëhet e ditur se nga Qeveria Kurti kanë kërkuar po ashtu zbatimin e pakos së fundit të përkrahjes ekonomike si dhe të fillohet me një pako të re përkrahëse për bizneset e dëmtuara nga pandemia, njofton Insajderi.

“Në fund Kryetarët e Komunave janë dakorduar për rekomandimet e pushtetit lokal ndaj pushtetit qendror lidhur me situatën pandemike dhe masat e reja në këtë drejtim dhe në anën tjetër respektimin e masave nga ana e qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Rekomandimet e Komunave:

  1. Qeveria të ketë prioritet vaksinimin e popullatës.
  2. Komunat kërkojnë dhe rekomandojnë heqjen e orës policore.
  3. Komunat rekomandojnë dhe kërkojnë që masat ndaj gastronomisë të tërhiqen dhe kërkojnë që gastronomia të zbatojë udhëzimet për distancën fizike edhe përmes tavolinave.
  4. Komunat kërkojnë që të amandamentohet Ligji mbi Pandeminë.
  5. Kërkohet nga Qeveria zbatimi i pakos së fundit të përkrahjes ekonomike dhe që të fillohet me një pako të re përkrahëse.
  6. Të ketë bashkëpunim dhe bashkërendim të aktiviteteve në mes nivelit qendror dhe lokal në ruajtjen e shëndetit publik dhe ekonomik.
  7. Bashkëpunimi në mes inspektoratit qendror dhe atij lokal nuk është në nivelin e duhur. Ky bashkëpunim duhet të fuqizohet në zbatim të masave në mënyrë që të ruhet shëndeti publik./Insajderi.com