Komunat kërkojnë që viti i ri shkollor të fillojë më 27 shtator

Komunat kërkojnë që viti i ri shkollor të fillojë më 27 shtator

Komunat e Kosovës janë të gatshme dhe kanë kërkuar që fillimi i vitit të ri shkollor të fillojë më 27 shtator.

Kjo është konkluduar në takimin e kolegjiumit të drejtorëve të arsimit në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Kështu ka bërë të ditur për Shqip.com, drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi.

Ai tha se çdo vendim për cilin skenar të zhvillimit të procesit mësimor do të merret nga Task Forca Komunale e Arsimit.

“Sfidë do të mbetet zëvendësimi i mësimdhënëseve shtatzëna dhe atyre me sëmundje kronike. Kërkohet që Qeveria e Kosovës të miratojë një buxhet shtesë që të hartohet lista për zëvendësimin e këtyre mësimdhënësve në mënyrë që mos të humbet mësim”, u shpreh Ibrahimi.

Për shkak të situatës me pandeminë COVID-19, Qeveria e Kosovës rreth një javë më parë kishte marrë vendim që viti i ri shkollor të shtyhet deri më 26 shtator. Orët e humbura, sipas ministres së MASHTI-t, Arbërie Nagavci, do të kompensohen./Insajderi.com