Komunat kundër masave të reja: Mungojnë inspektorët për mbikëqyrjen e tyre

Komunat kundër masave të reja: Mungojnë inspektorët për mbikëqyrjen e tyre

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kundërshtuar masat e reja anti-COVID’19 të cilat kanë hyrë në fuqi nga sot, pasi sipas tyre, po dëmtohet ekonomia si dhe ka mungesë të stafit inspektues, transmeton Insajderi.

Kryetari i këtij asociacioni, Sazan Ibrahimi, tha se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka vendosur në mënyrë të njëanshme për masat e reja, pa u konsultuar me të gjitha komunat.

“Neve edhe në takimin e fundit si Këshill i Kryetarëve të cilin e kemi pasur me ministrin Vitia, ka qenë zotim që para çdo vendimi rreth masave të reja të ketë konsultim gjithëpërfshirës dhe të mirëfilltë me komunat. Sepse zbatimi i masave bëhet në nivelin lokal e jo në atë qendror. Kjo ka qenë konkludim i përbashkët mirëpo ndodhi që procesi apo zotimet e bashkëpunimit të ndërsjellët të lëndohet ky proces pak dhe kryetarët e komunave kanë kërkuar që të ketë konsultim të mirëfilltë gjithmonë para zbatimit të masave. Në asnjë rast as komunat por as kryetarët e komunave as drejtorët komunalë nuk kanë qenë në mos zbatimin apo kundër zbatimit të masave”, theksoi Ibrahimi për EO.

Qeveria e Kosovës miratoi të hënën masa të reja për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit.
Këto masa, për dy javët e ardhshme ndalojnë qarkullimin e qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, përveç në raste urgjente. Po ashtu, nga data 7 deri në 18 prill, shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre./Insajderi.com