Komunat me shumicë serbe vazhdojnë të prijnë me përqindje, pasohen nga Kamenica, Skenderaj e Prishtina

Komunat me shumicë serbe vazhdojnë të prijnë me përqindje, pasohen nga Kamenica, Skenderaj e Prishtina

Komunat me shumicë serbe po vazhdojnë edhe pas orës 17:00, të kenë përqindjen më të lartë të qytetarëve që kanë dalë në votim, njofton Insajderi.com.

Zveçani po prin me përqindjen e qytetarëve që kanë dalë për të votuar në këto zgjedhje lokale. Me 56.91 për qind, kjo komunë ka shënuar gjithsej tre mijë e 915 persona që e kanë kryer këtë obligim nga gjithsej gjashtë mijë e 879 deri në orën 16:00.

Kjo komunë është pasuar nga Leposaviqi me gjithsej 47.97 për qind të votave, apo gjithsej gjashtë mijë e 95 votues nga gjithsej 12 mijë e 707 persona që kanë të drejtën e votës.

Sa i përket komunave me shumicë shqiptare, Kamenica është ajo me më së shumti qytetarë që kanë dalë për të votuar.

38.08 është përqindja e qytetarëve që e kanë ushtruar të drejtën e votës në këtë komunë, apo 11 mijë e 281 persona nga gjithsej 35 mijë e 16.

E dyta nga komunat me shumicë shqiptare është ajo e Skenderajt me gjithsej 31.04 për qind, apo gjithsej 16 mijë e 601 votime prej 53 mijë e 479 personave që kanë të drejtë vote.

Ndërkaq, sa i përket Prishtinës, komunë që listohet e treta me më së shumti votues në këto zgjedhje nga komunat me shumicë shqiptare, dalja e qytetarëve në këto zgjedhje ka shkuar në 28.45 për qind apo 55 mijë e 747 nga gjithsej 195 mijë e 979 banorë.

Qytetarët e Kosovës të dielën e 17 tetorit vendosin për kryetarët e ardhshëm të komunave dhe për përfaqësuesit e tyre në Kuvendet Komunale. /Insajderi.com