Komunat, mësimdhënësit e prindërit kërkojnë që nga shtatori mësimi të fillojë në shkolla

Komunat, mësimdhënësit e prindërit kërkojnë që nga shtatori mësimi të fillojë në shkolla

Komunat janë të gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor në shtator ka pohuar drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

Ibrahimi në takimin që ministri i Arsimit, Ramë Likaj, ka zhvilluar me drejtorët e Arsimit dhe përfaqësues të tjerë të arsimit në vend, shtoi se bashkëpunimi me nivelin qendror ka qenë korret dhe se komuna kanë kërkuar vendim sa më të shpejt nga Qeveria për fillimin e vitit të ri shkollor.

“Bashkëpunimi i komunave me nivelin qendror është korrekt. Kryetarët e komunave kanë qenë të gatshëm për proces të ri të vitit shkollor, por kanë kërkuar një vendimmarrje më të shpejtë, komunat janë të gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor”, tha ai.

Kryetar i SBAShKU-t, Rrahman Jashari ka ofruar disa kushte për ministrinë e Arsimit dhe në qoftë se kushtet nuk respektohen atëherë Jasharaj ka thënë se do të bëjnë çmos ta ndërpresin vitin shkollor.

Ai kërkoi që të mbahet higjiena në shkolla si dhe të testohen mësimdhënësit.

“SBAShK-u mbështet çdo angazhim për fillimin e vitit të ri shkollor, ajo që duhet të them se mendoj që viti i ri shkollor është një nga fillimet më të vështira sepse ka edhe frikë dhe po e pamë vetëm ministrin vetëm do ta ketë vetëm vështirë. Edhe DKA-të mos t’i marrin detyrat shukë lehtë dhe ta mbajnë pastërtinë në nivel dhe dezinfektimin e objekteve. Ne përkrahim çdo vendim”.

“Ne kemi qenë kundër për shkurtimin e buxhetit sepse ky vit kërkon buxhet më të madhe e në momentin që vërejmë që nuk po mbahet higjiena ne do të bëjmë apel që mësimi të ndërpritet. Të kemi mundësi që mësimdhënësit të testohen”, u shpreh ai.

Ndërsa zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, iu është përgjigjur kryetarit të SBAShK-ut duke i thënë se ministria nuk do të mund të arrijë normën.

“Qeveria do ti ndajë mjetet prej rimëkëmbjes ekonomike. Tema e pensionimit në duhet me ndërtuar një dialog social dhe më serioz sepse një kërkesë të ngjashme e kemi prej policisë së Kosovës”.

Besim Avdimetaj kryetar i DKA-ve, ka thënë se kanë filluar regjistrimin e nxënësve për klasat e 10-ta. Ai ka thënë se nxënësit janë vetëdijesuar dhe po respektojnë masat anti-Covid.

“Komunat duhet të ndihmon rreth formës për fillimin e vitit të ri shkollor. Kemi filluar regjistrimin e nxënësve për klasat e 10 dhe nxënësit janë vetëdijesuar po ashtu edhe prindërit”.

Këshilli  i Prindërve po ashtu ka dhënë mbështetjen që viti i ri shkollor të fillojë në shkolla sepse sipas tyre mësimi online nuk ka dhënë efektin e vet.

Ata kanë kërkuar qe niveli 1-5 të jenë në bankat shkollore dhe në shkolla të dezinfektuara.

Edhe drejtorët komunal të Arsimit kanë shprehur gatishmërinë e tyre për mbajtjen e testit të maturës me 29 gusht.

Ata kanë kërkuar qe të respektohet distanca të dezinfektohen klasat ku do të mbahet testi si dhe mos të  ketë numër të madh të nxënësve.

Drejtorët komunal kanë kërkuar qe në ditën e testit të maturës prindërit mos të mblidhen në oborret e shkollave.