Ndonëse e fundit në rajon, Kosova pritet që nga mesi i këtij muaji të fillojë procesin e imunizimit masiv kundër Coronavirusit. Edhe komunat tashmë kanë bërë përgatitjet e duhura dhe janë në pritje të furnizimit me vaksina për të nisur këtë proces.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ditë më parë ka bërë të ditur se është nënshkruar plani shtetëror për vaksinim masiv dhe do të fillojë së zbatuari më 15 qershor. Sipas Planit Shtetëror për Vaksinim, parashihet që brenda muajit të vaksinohen nga 350-500 mijë qytetarë.
Në Komunën e Prishtinës vaksinimi masiv do të kryhet në sallën “1 Tetori”, aty ku aktualisht është duke vijuar vaksinimi i të sëmurëve kronikë.
“Ekipet teknike të kujdesit parësor janë në koordinim me MSH-në. Vaksinimi masiv do të vazhdojë të realizohet në sallën ‘1 Tetori’. I kemi edhe qendrat e mjekësive familjare, dhe mund t’i aktivizojmë të paktën pesë ose 10 prej tyre, por deri tani s’ka ndonjë kërkesë sepse i kemi shtuar kapacitetet në qendrën ku po zhvillohet vaksinimi”, deklaroi për Gazetën Online Insajderi, Bujar Gashi – drejtor i Shëndetësisë në kryeqytet.
Përgatitjet tashmë i ka bërë edhe Komuna e Pejës. Drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, tha për Insajderi-n se vaksinimi në masë do të bëhet në objektin e Galerisë së Arteve.
“Aktualisht procesi i vaksinimit është duke u bërë në Qendrën Kryesore të vaksinimit. Interesimi i qytetarëve është i kënaqshëm. Brenda ditës jipen rreth 100 doza të vaksinës”, tha Loci.
Se përgatitjet i kanë bërë dhe kanë hapësira të mjaftueshme për vaksinim masiv, e thonë edhe nga Komuna e Gjilanit, ku ky proces do të realizohet në palestrën e sporteve.
“Jemi përgatitur me 15 ekipe të trajnuara. Vaksinimi do të bëhet në palestrën e sporteve, ndërsa aktualisht procesin e vaksinimin jemi duke e kryer në Qendrën e Mjekësisë Fmiljare ‘Ramiz Kërnica’. Kemi hapësira të mjaftueshme”, potencoi Selami Xhemajli, drejtor i Shëndetësisë në Gjilan.
Ai theksoi se deri tani rreth dy mijë e 500 qytetarë janë lajmëruar për vaksinim, ndërsa nga fillimi i procesit janë vaksinuar rreth katër mijë qytetarë.
“Brenda një dite planifikojmë t’i vaksinojmë rreth një mijë qytetarë, me kapacitetet që kemi, por sigurisht nëse kemi doza të mjaftueshme të vaksinave. Brenda ditës vaksinohen afër 250 qytetarë. Interesimi është i kënaqshëm”, tha ai.
Ndërkaq, Komuna e Shtimes ka vaksinuar gati tri herë më pak qytetarë se ajo e Gjilanit. Megjithatë, konfirmojnë gatishmërinë që nga 15 qershori të fillojnë vaksinimin masiv.
“Po, kemi bërë përgatitjet e nevojshme dhe jemi në koordinim me MSH-në. Aktualisht po vijon vaksinimi në QKMF-në në Shtime, ndërsa vaksinimi masiv do të vazhdojë në shkollën fillore ‘Emin Duraku’. Deri më tani janë vaksinuar rreth një mijë e 300 qytetarë”, tha Musa Baftiu, drejtor i Shëndetësisë në Shtime.
Më 29 mars, Kosova ka nisur fushatën e imunizimit kundër Coronavirusit, pas pranimit të 24 mijë dozave të vaksinave të kompanisë ‘AstraZeneca’, përmes mekanizmit COVAX – skemë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfëra.
I pari që u vaksinua ishte kryeministri Albin Kurti.
Që nga 30 marsi e deri sot, gjithsej 86 mijë e 489 persona e kanë marrë kurën kundër COVID-19./Insajderi.com