Komunikata që kërkonte vrasjen e Gani Gecit – Ish-komandanti i UÇK-së pranoi se i qëndron prapa këtij urdhri

Komunikata që kërkonte vrasjen e Gani Gecit – Ish-komandanti i UÇK-së pranoi se i qëndron prapa këtij urdhri

Kërkim falja që presidenti i Kosovës i kushtoi të mërkurën ish-ushtarit të UÇK-së, Gani Gecit, lidhur me komunikatën numër 59 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka rikthyer sërish në vëmendje urdhrin që u lëshua në emër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për ekzekutimin e Gani Gecit.

Të mërkurën në një intervistë në Transmetuesin Publik, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i kërkoi falje Gani Gecit për komunikatën numër 59 të UÇK-së.

“Mund të them se komunikata numër 59, që përmendet në opinion, siç e ka theksuar Shtabi i Zonës Operative të Drenicës, i udhëhequr nga Sylejman Selimi dhe Sami Lushtaku, është një komunikatë abuzuese, që nuk i takon UÇK-së”, ka deklaruar Thaçi në RTK.

Geci ende nuk ka reaguar lidhur me kërkim faljen e Thaçit. Ndërkaq, i telefonuar nga Insajderi të premten, ish-deputeti i LDK-së nuk ka dashur të komentojë deklarimet e presidentit.

Megjithatë, ndryshe nga presidenti Thaçi ishte shprehur Azem Syla, ish-Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe dikur bashkëpunëtori i Thaçit.

Ish-Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së nuk e ka mohuar asnjëherë vendimin e shtabit që urdhëronte vrasjen e ish-luftëtarit të UÇK-së, Gani Geci.  Në një dhënë Klan Kosovës para rreth 8 vitesh, Syla kishte thënë se nuk i kujtohet saktësisht urdhri, por qëndron prapa tij.

“Nuk më kujtohet saktësisht. Mirëpo nëse është lëshu një deklaratë, ose komunikatë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, unë qëndroj pas saj”, kishte thënë Syla, në intervistën dhënë televizionit Klan Kosova në vitin 2011.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës ka akuzuar Gecin për vrasjen e Abedin Rexhës, ish-luftëtarit të UÇK-së.

“Për arsye se z. Geci gjatë luftës me veprimin e tij vrasës dhe kriminal heq ose e largon një bashkëluftëtar të denjë”, kishte deklaruar Syla.

Gani Geci e thërret në telefon Bardhyl Mahmutin dhe e pyet nëse e ka shkruar ai komunikatën nr. 59 të UÇK-së

Ndërkaq, Gani Geci e ka telefonuar mbrëmë Bardhyl Mahmutin, dhe siç ka treguar ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së, i ka thënë atij “se dikush nga njerëzit kompetent” i kanë treguar Gecit se komunikatën numër 59 të UÇK-së e ka shkruar ai – pra Bardhyl Mahmuti.

Mahmuti, përmes një shkrimi të publikuar në Facebook të publikuar të premten, ka treguar se Geci e ka telefonuar të enjten dhe i ka thënë se ka informata nga njerëz kompetent që i kanë thënë se komunikatën numër 59 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka shkruar ai.

“Mbrëmë përmes messengerit të Facebookut më thirri Gani Geci. Sipas pohimeve të tij, dikush nga njerëz kompetent i paskan thënë se komunikatën numër 59 e paskam shkruar unë”, njoftoi Mahmuti. “Nëse pohimi i tij është i vërtetë atëherë kemi të bëjmë me një praktikë shumë të ulët dhe tejet të ndyrë. Në këtë rast kemi të bëjmë jo vetëm me praktikën e hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës, por edhe drejtimin e gishtit për nxitje konflikti.”

Ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së ka deklaruar se i ka shpjeguar Gecit që nuk e ka shkruar ai komunikatën që e implikonte Gecin në vrasjen e Abedin Rexhës. /Insajderi.com