Komuniteti për të cilin partitë nuk kanë asnjë plan

Teksa është ende e pasigurtë se kush do ta formojë Qeverinë e re të Kosovës një gjë është e sigurt: asnjëri koalicion e asnjë parti nuk ka asnjë plan e as një ide për komunitetin LGBTI+

Komuniteti për të cilin partitë nuk kanë asnjë plan

Komuniteti LGBTI+ në Kosovë sillet në një numër rreth 40 mijë dhe 60 mijë personave, sipas hulumtimeve të CSGD-së, por ende ky komunitet vazhdon të jetojë i fshehur. Kjo duke kontribuar me injorim të shtetit, përkatësisht partive politike të cilat eventualisht do të fillojnë qeverisjen.

Agim Margilaj nga CSGD – Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore ka thënë për Insajderin se ky komunitet bënë jetë të izoluar dhe fshehur për shkak se është shumë i stigmatizuar dhe i paragjykuar.Teksa marshi i përvitshëm i komunitetit LGBTI+, i cili ishte paraparë të mbahej më 17 maj, këtë vit nuk u mbajt për shkak të rënies së qeverisë, asnjë parti politike nuk e ka një plan sesi do të sigurohet që një nga komunitetet më të margjinalizuara në vend do të jetojë pa iu shkelur të drejtat elementare.

Partitë politike kanë injoruar të gjitha pyetjet që kanë të bëjnë me këtë komunitet, edhe para fushatës, gjatë saj dhe pas përfundimit të votimeve.

Insajderi ka provuar të marrë një koment nga partitë nëse përkrahin apo jo këtë komunitet dhe a do t’i përfshijnë në programin e tyre partiak, por askush nuk ka kthyer përgjigje.Ato nuk u përgjigjën fare, teksa anëtarët e partive përkatëse ia hidhnin përgjegjësinë kolegëve brendapartisë se kush duhet dhe ka për detyrë të japë shpjegime dhe përgjigje.Kjo ka ndodhur me të gjitha partitë: Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Aleanca Kosova e Re, partia Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje.Asnjëra nga këto parti nuk ka folur për qëndrimet e tyre. Anëtarët hidhnin përgjegjësinë tek njëri tjetri se kush kishte për detyrë të jepte deklaratë për media.

Nga LDK, përgjegjësit për media hidhnin përgjegjësinë për tu përgjigjur tek Ismet Beqiri apo Arban Abrashi, të cilët nuk kanë kthyer asnjë koment.Nga PDK, Blerand Stavileci tha se kjo nuk i përket këtij që të përgjigjet. Sipas tij ata që janë marrë me programin si nënkryetari i partisë Enver Hoxhaj, dhe zv. Ministri Ramadan Ilazi janë kompetentë të përgjigjen.

“Ne i kemi pak punët e ndara. Unë e kam koordinimin e medieve, pjesëmarrjes së njerëzve, të kandidatëve për deputetë etj etj. Për program është një ekip tjetër” ka thënë ai.

“Për çfarëdo pyetje, për çfarëdo pjese të programit mund ta dërgoni me shkrim tek Enver Hoxhaj dhe tek Ramadan Ilazi, për shkak se ata kanë qenë në ekipin që ka koordinuar hartimin e programit”, ka deklaruar Stavileci për Insajderin.Me Ministrin Hoxhaj nuk ka qenë e mundur të vihet kontakt, ndërsa Ramadan Ilazi ka kthyer përgjigje duke u shprehur se nuk është nën kompetencën e tij të përgjigjet, duke e kthyer përsëri tek zyra për medie, e cila nuk kishte kthyer përgjigje më parë.

“Për të marrë qëndrimet e PDK-së në lidhje me çështjen që keni ngritur, me shumë të drejtë, kontaktoni të lutem zyrën për medie të PDK-së dhe ata duhet te koordinojnë një përgjigje për ju”, ka shkruar Ilazi.

AKR, AAK dhe NISMA, as nuk kanë provuar të largojnë përgjegjësitë, as nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë, duke injoruar kështu fare kërkesat për komente.

Përveç kësaj, në programet e partive politike nuk ka asnjë pikë e cila i kushtohet kësaj çështjeje, dhe asnjë kandidat për deputet nuk ka përmendur apo diskutuar për të drejtat e komunitetit LGBTI+, as më parë, e as gjatë fushatës së fundit parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare.

Përkundër asaj që edhe organizatat të cilat merren me fuqizimin e këtij komuniteti, si CEL – Qendra për Barazi dhe Liri të komunitetit LGBTI+ në Kosovë, dhe CSGD – Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, janë munduar të marrin disa përgjigje dhe të kontaktojnë me subjektet, përmes Kosovo 2.0, përsëri këto nuk kanë thënë asgjë.

Blert Morina, nga Qendra për Barazi dhe Liri, e cilëson këtë mosinteresim zhgënjyes.

“Është zhgënjyese! Po e kuptoj faktin që ndoshta shumica prioritet i kanë asfaltimin apo infrastrukturën, por nuk mundet të ketë progres nëse nuk janë prioritet të drejtat e njeriut”, ka thënë ai për Insajderin.

Ai ka thënë se nuk është ideja tek të drejtat e veçanta për këtë komunitet, por “janë disa mangësi shumë të mëdha të cilat e pengojnë komunitetin të ketë një jetë të mirëqenë dhe të denjë.”

“Është arrogante që të paktën nuk e marrin mundin as të përgjigjen. Aq më keq është zhgënjyese kur e sheh që as që kanë menduar në lidhje me komunitetin LGBT”, ka përfunduar ai.

Drejtori ekzekutiv i CSGD, Arbër Nuhiu, ka thënë se të vetmet raste kur është folur për të drejtat LGBTI ka qenë kur diplomatë ndërkombëtarë kanë vizituar Kosovën dhe i kanë detyruar politikanët tanë që të prononcohen.

“Kjo tregon shumë qartë që partitë politike dhe kandidatët e tyre për deputet nuk kanë qëndrim publik në lidhje me çështjet LGBTI e as që dëshirojnë të flasin për këtë. Shihet qartë qëçështjet LGBTI janë ende tabu për partitë tona politike dhe komuniteti LGBTI është i stigmatizuar dhe i paragjykuar”, ka thënë ai.

Ndërsa shton se do të kalojë një kohë e gjatë deri sa të vjen momenti kur çështjet LGBTI do të jenë pjesë e programeve të partive politike, dhe se do të mundohen që këtë kohë ta shkurtojnë sa më shumë që të jetë e mundur.

Neglizhenca por edhe gjuha diskriminuese ndaj këtij komuniteti vërehet edhe në tekstet shkollore, për të cilat nuk merret asnjë iniciativë të ndryshohen  apo të  përmirësohen nga institucionet përkatëse.

Komuniteti LGBTI+ në diskursin politik, pothuajse nuk egziston, edhe pse ky komunitet është pjesë qensore e shoqërisë kosovare, politikbërësit tanë refuzojnë t’i trajtojnë si qytetarë të barabartë dhe të hartojnë programe ku të drejtat e tyre garantohen dhe mbrohen. /Insajderi.com