Gjykata Themelore e Prishtinës ka refuzuar kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave për rastin e 11 të akuzuarve për rastin “Pronto”.
Sipas gjykatës kërkesat e palës mbrojtëse janë të pabazuar, prandaj rasti shkon në gjykim.
“Të akuzuarit A.G, A.P, XH.D, I.G, S.G, B.B, N.K, Z.P, F.SH, I.N dhe R.A akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë që në formën e bashkëpunimit-bashkëkryerjes nga neni 31 i KPRK-së kanë kryer veprën penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në tentative”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në afat prej 5 ditësh në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Kujtojmë se Gazeta Insajderi në gusht të vitit 2016 ka publikuar përgjimet “Dosja e Shefave”, ku protagonist ishte Adem Grabovci. Nga këto përgjime u dëshmua ndikimi i njerëzve të PDK-së në punësimet nëpër të gjitha institucioneve shtetërore përfshirë edhe agjencionet e pavarura edhe mediat.
Bazuar në këto përgjime Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë Adem Grabovcit, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti, Fatmir Shurdhaj, Sedat Gashi, Xhavit Dakaj, Njazi Kryeziu, Arbenita Pajaziti, Ilhami Gashi.